Dhunohet "Margarita Tutulani",reagon Shoqata e Dëshmorëve
BERAT - Dhunohet busti i heroinës së popullit, Margarita Tutulani. Tre ditë më parë, persona ende të paidentifikuar kanë kryer shënime në gjuhë të huaj në pjesën ballore, ndërsa kanë tentuar të heqin edhe gurë nga ana e pasme, të cilët mbajnë bustin e heroinës. Kjo nuk është hera e parë që dhunohet busti i Margarita Tutulanit në Berat. Për këtë shkak dje reagoi edhe drejtuesi i organizatës së familjes së dëshmorëve dhe veteranëve, Anastas Arbëri. "Ky veprim është shumë i ulët. Po dhunohen simbolet e dëshmorëve, që dhanë jetën në lulen e rinisë. Ne jemi të shqetësuar si organizatë e familjeve të dëshmorëve dhe i kërkojmë policisë të identifikojë autorët e t'i çojë ata para përgjegjësisë ligjore. Në këtë qark janë dëmtuar edhe shumë lapidare e objekte të tjera, të cilat janë ndërtuar në nderim të figurave që dhanë jetën për atdheun e sot nderohen si dëshmorë të kombit. Këtu renditet jo vetëm busti i Margarita Tutulanit, por edhe varrezat e dëshmorëve, lapidari në Qafë Sqepuri, disa pllakada në qytet, lapidari në Vokapol si dhe lapidari që ndodhet në qendër të qytetit, i heroit të popullit Hajdar Tafa. d.xh