Shkelje në gjykata në Durrës e Vlorë
Trazhgim Sokolaj
Inspektorët e këshillit të Lartë gjejnë shkelje të rënda gjatë kontrolleve të ushtruara në Gjykata e Vlorës, Elbasanit, Gjirokastrës, Durrësit dhe Tiranës. Burime të konfirmuara nga KLD pohojnë se pak ditë më parë ka përfunduar inspektimi në gjykata ndërsa ka nisur puna për hartimin e raport-kontrollit. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se shkeljet më të rënda janë gjetur në Gjykatën e Gjirokastrës dhe në gjykatat e Durrësit dhe Vlorës. “Inspektimi në gjykata përfundoi vetëm pak ditë më parë ndërsa Inspektoriati i KLD-së tani është në fazën e hartimit të raportit përfundimtar”, thanë burimet nga Këshilli. Sipas tyre, mësohet se tre gjyqtarë do të propozohen për masa disiplinore shkarkim nga detyra dhe më pas ndjekje penale, në varësi të shkeljeve që u janë gjetur. Pak kohë më parë bazuar në letrat e shumta të mbërritura në KLD nga qytetarët, Këshilli dërgoi Inspektorët e tij për të verifikuar gjendjen në gjykata. Mësohet se janë marrë në kontroll aspekte të ndryshme të punës së gjykatave që nga procedurat e shortit, mënyra e menaxhimit të proceseve civile dhe penale, ecuria e gjyqeve dhe rastet e zvarritjes së proceseve. Një tjetër aspekt i verifikimit nga KLD ka qenë edhe koha e zbardhjes së vendimeve gjyqësore dhe komunikimi i tyre tek palët e interesuara. Inspektoriati i KLD pohoi se gjatë kontrolleve në gjykata është verifikuar puna e çdo gjyqtari për ecurinë e çështjeve, kohëzgjatjen e tyre dhe ankesat e qytetarëve me qëllim që më pas të hartohet një raport i veçantë për karrierën e gjyqtarëve.
Shkelje në Vlorë dhe Durrës
Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit në gjykata, Inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kanë gjetur dy raste, në gjykatat e Vlorës dhe Durrësit, kur gjyqtarët janë shprehur për çështjet pa qenë të pranishëm në gjykim. “Në Gjykatën e Vlorës dhe të Durrësit, janë gjetur shkelje, nga dy gjyqtarë. Ata kanë qenë pjesë e trupave gjykuese me tre anëtarë, por janë janë shprehur me vendim pa qenë të pranishëm gjyqtari i tretë i cili ka munguar në seancë në momentin e formulimit të vendimit. Gjyqtari që ka munguar ka firmosur më vonë vendimin e dhënë”, thanë burimet nga KLD-ja. Sipas tyre, kjo përbën shkelje për shkak se gjyqtarët kanë shpallur vendimet e tyre në treshe gjykuese kur një anëtar nuk ka qenë i pranishëm ndërsa ai e ka firmosur më vonë, jashtë seancës dokumentin e vendimit të dhënë pa praninë e tij. Sipas burimeve nga KLD-ja mësohet se për rastet e gjetura me shkelje gjyqtarët do të dërgohen për procedim disiplinor në mbledhjen e radhës të KLD-së ndërsa sipas shkeljeve të evidentuara pritet që gjyqtarët të dërgohen edhe për ndjekje penale pas masave që do të jepen në Këshill. Deri më tani burimet nga Inspektoriati i KLD-së thonë se gjyqtarët në Gjirokastër, Durrës dhe Vlorë, janë gjetur me shkelje të tilla për të cilat do të kërkohet shkarkim nga detyra dhe më pas ndjekje penale në Prokurori.
Rrethet ku u bë kontroll
Durrësi
Vlora
Gjirokastra
Tirana
Elbasani
4 gjyqtarë me shkelje
5 masa në KLD
1500 letra nga qytetarët
EURALIUS: Mos ndërhyni në vendimet gjyqësore
TIRANE – Misioni i Asistencës Evropiane për sistemin shqiptar të drejtësisë, EURALIUS, pak kohë më parë ka bërë disa rekomandime në adresë të institucioneve të Tiranës lidhur me proceset ndëshkimore ndaj gjyqtarëve që gjenden me shkelje. Sipas EURALIUS, kontrollet apo edhe masat disiplinore nuk duhet të prekin vendimet gjyqësore të dhëna nga gjykatat. “Vendimet duhet të zgjidhen në rrugë gjyqësore përmes apelimit. Proceset ndëshkimore nuk duhet të prekin thelbin e vendimeve dhe nuk duhet të ndërhyjnë në vendimmarrje për çështjet gjyqësore”, kanë theksuar ekspertët evropianë. Ata gjithashtu theksojnë kërkesën e tyre për respektimin e normave ligjore të pavarësisë së gjyqësorit në rastet e proceseve ndëshkimore ndaj togave të zeza.