E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e kriza ekonomike, fluks emigrantësh në port

 

DURRES/ OERD ULQINI

Në Durrës ka nisur fluksi i pasagjerëve. Vetëm gjatë paradites së të shtunës në sheshin e trageteve janë ankoruar pesë tragete njëkohësisht, duke zbarkuar në stere mbi 3500 pasagjerë. Ndërkohë që dy tragete të tjerë me afro 1500 persona në bord kanë mbërritur në Durrës gjatë orëve të pasdites. Bëhet fjalë kryesisht për emigrantë që kthehen në atdhe. Shumë specialistë të doganës e shpjegojnë këtë fluks disi të parakohshëm me zgjedhjet e 28 qershorit ose me papunësinë që ka prekur së fundmi Italinë apo vende të tjera të BE-së ku jetojnë emigrantët shqiptarë. Arsyetimi është i thjeshtë: “Më mirë rri kot në Shqipëri se sa të paguaj qiranë në Itali, ndërkohë që jam pa punë”. Ky ritëm pasagjerësh është duke u përballuar mirë si nga ana e autoriteteve portuale të Durrësit, ashtu edhe atyre të Barit në Italinë Jugore. Në përgjithësi pasagjerët shprehen të kënaqur me ritmet e kontrollit në Doganë dhe në Policinë Kufitare. Bëhet fjalë për një pritje mesatare prej 20-30 minutash, e cila është një kohë që u merret si në Bari, ashtu edhe në Durrës derisa përfundojnë plotësisht procedurat e imbarkimit dhe të kontrollit në Policinë Kufitare dhe doganë. Nga fundi i muajit qershor e deri në fillim të shtatorit porti i Durrësit kalon provimin më të vështirë të vitit, i cili ka të bëjë me përballimin e fluksit të afro 500 mijë pasagjerëve dhe të 100 mijë autoveturave. Më pas, situata stabilizohet për të rifilluar sërish me fluks në prag të festave të fundit të vitit. Në Doganë ritmi i punës është i lartë. Në të funksionojnë aktualisht 12 sportele, i cili është edhe kapaciteti maksimal i doganës së Durrësit. Prej disa muajsh në portin e Durrësit është shtuar numri i trageteve të kompanive të udhëtimit. Pozicioni strategjik i Durrësit në Mesdhe e bën atë të lakmueshëm edhe për itinerare të tjera lundrimi siç është porti slloven i Koperit, Ulqini në Mal të Zi, Brindisi në Italinë Jugore apo porte të tjera të Greqisë apo Turqisë. Me këto porte Durrësi nuk ka ende linja lundrimi për pasagjerë, ndonëse kërkesa e tregut për këtë lloj shërbimi është tejet e lartë. “Dëshira është e madhe, por nuk kemi vend ku t’i ankorojmë tragetet”, thotë nëndrejtori i portit Mentor Bunguri. Bëhet e ditur se 22% është shtuar numri i prekjeve të trageteve në Durrës në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Tregues në rritje shënojnë edhe autoveturat me 6% dhe pasagjerët me 2%. Autoriteti Portual saktëson se kanë shkelur portin e Durrësit në nivel 5 mujori 554 tragete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›