E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaket fundjava, vdesin 5 vetë

 

KORÇE/VLORE/ELBASAN

Ngjarje tragjike janë shënuar në këtë fundjavë në disa rrethe të vendit. Pesë viktima në harkun e 24 orëve të së shtunës dhe të dielës, midis të cilëve edhe një fëmijë 8 vjeç. Ngjarjet e rënda kanë ndodhur në Korçë, Pogradec, Vlorë dhe Elbasan. Disa prej viktimave kanë vendosur t'i japin fund jetës duke u vetëflijuar. Ndërsa fëmija, por edhe një grua kanë gjetur vdekjen në mënyrë aksidentale, por edhe tragjike. Pak ditë pasi kishte mbaruar shkollën, fëmija 8 vjeç, F.M., humbi jetën tragjikisht. Ngjarja ndodhi të dielën në fshatin Laktesh të komunës Velçan të Pogradecit. Mësohet se i mituri kishte dalë disa metra larg shtëpisë së tij për të kullotur mushkën. Dyshohet se kafsha është trembur dhe ka nisur të vrapojë. Ende nuk është konfirmuar nëse litari me të cilën mbante fëmija mushkën i është ngatërruar në trup apo ai e kishte lidhur vetë, por ai është tërhequr zvarrë për afro 700 metra. Banorët që kanë parë këtë skenë janë tmerruar, por megjithë ndërhyrjen e tyre fëmija kishte vdekur. Gjurmët e gjakut të tij janë gjetur në të gjithë gjatësinë që mushka e kishte tërhequr. Një tjetër ngjarje është regjistruar dje në Korçë. Dy ditë pasi ishte zhdukur, u gjet në fund të një pusi trupi i 52-vjeçarit Feridon Beqiraj nga fshati Vreshtas. Viktima e kishte paralajmëruar vëtëflijimin tek familjarët, duke iu pohuar se do të vriste veten. Këto pohime sipas deklaratave të tyre, dhënë pas ngjarjes në polici, ishin bërë në kushte depresioni. Të nesërmen, në dalje të fshatit, tek vendi i quajtur "Lumi" u gjetën ora dhe një këmishë e tij. Pak metra më larg ndodhej një pus, çka hodhi dyshime se ai mund të ishte vetëhedhur. Policia kërkoi ndihmën e zjarrfikëses dhe pasi boshatisën pusin gjetën trupin e Beqirajt. Policia bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur për shkak të depresionit. Dy ngjarje të rënda janë shënuar edhe në Vlorë, ku dy të moshuar gjetën vdekjen pasi ranë nga tarracat e pallateve të tyre. Ngjarja e parë u regjistrua rreth orës 24:00 të së shtunës në lagjen Partizani, ku 65-vjecari Sihat Hamzo është hedhur nga kati i katërt. I moshuari vdiq disa orë më pas në spital, ndërsa mësohet se ai vuante nga depresioni. Ngjarja tjetër ndodhi dje në mëngjes në lagjen "Lef Sallata", ku 62-vjeçari Abaz Arapi ka rënë nga një lartësi prej 5 katesh. Të afërmit e tij kanë pohuar në polici se ai nuk kishte arsye të vriste veten, ndërsa dëshmitarë që panë ngjarjen nga larg i pohuan policisë se i moshuari kishte qëndruar për disa minuta me fytyrë nga rruga dhe më pas ishte vetëhedhur. Një tjetër ngjarje aksidentale ndodhi dje në fshatin Karabullak në Elbasan. Hanife Hoti, 57 vjeçe mbërriti në spital e vdekur. Gruaja sipas dëshmisë së familjarëve kishte qenë duke ujitur perimet, kur papritmas ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, çka i ka sjellë asaj vdekjen e menjëhershme.

VIKTIMAT

Pogradec
Humb jetën fëmija 8 vjeç, F.M.

Korçë
Gjendet në pus 52-vjeçari Feridon Beqiraj

Vlorë
Vetëhidhet nga tarraca Sihat Hamzo, 65 vjeç
Bie nga kati i pestë 62-vjeçari Abaz Arapi

Elbasan
Vdes nga korrenti 57-vjeçarja Hanife Hoti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›