Dhunohet Sul Mema, shtrohet urgjentisht në spital

Shefi i Gjyqtarëve në Federatën Shqiptare të Futbollit, Sulejman Mema, i caktuar si delegat i FSHF-së në ndeshjen e Kategorisë së Parë, Burreli-Sopoti është dhunuar nga drejtuesit e klubit të Burrelit pas përfundimit të ndeshjes 1-1. Në fakt, qysh kur u mësua caktimi i gjyqtarit Mentor Sopjani, presidenti Murat Koliqi i kishte kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit zëvendësimin e tij, dhe si argument përdoreshin "kusuret" e Sopjanit ndaj Burrelit në ndeshjen Burreli-Turbina. Drejtuesi i lartë matjan kishte paralajmëruar se nuk do ta nxirrte ekipin në fushë, por pasi është bindur nga drejtuesi i lartë i FSHF-së, Mema, Burreli zhvilloi ndeshjen që përfundoi në barazim 1-1. Miqtë nga Erzeni shënuan të parët me anë të Arapit në minutën e 16-të, ndërsa barazimi i burrelsaveë erdhi nga pika e bardhë e penalltisë, kur Gjoka realizoi në minutën e 21-të. Megjithatë në përfundim të takimit, mbi Sopjanin vazhduan pakënaqësitë, teksa drejtuesit e klubit nuk e kanë kursyer dorën ndaj Shefi i Gjyqtarëve, Sul Mema, që është shtruar urgjentisht në spitalin lokal.
Është hera e parë që dhunohet haptazi një punonjës i lartë i Federatës Shqiptare të Futbollit. Dhuna gjatë këtij kampionati ka qenë e pranishme thuajse cdo javë. Sopjani ka qenë personazhi kryesor dhe në takimin Gramozi-Bylis (2-2), që solli dhe përjashtimin e ekipit të Ersekës, fillimish për një vit nga Disiplina dhe më pas me zhvillimin e ndeshjeve për një sezon të plotë jashtë shtëpsisë nga Apeli i FSHF-së.