Dhunoi arbitrin, arrest shtëpie për Murat Koliqin
Trupi gjykues i Gjykatës së Elbasanit ka vendosur arrest shtëpiak për presidentin e Burrelit, Murat Koliqi, në pritje të përfundimit të hetimeve të plota lidhur me incidentin e së mërkurës në Librazhd, kur numri një i klubit matjan dhunoi fizikisht vëzhguesin e FSHF-së, Sazan Velçani, i cili më pas përfundoi në spital. Koliqi qëndroi 3 ditë në paraburgim, pasi u arrestua nga policia në flagrancë, teksa dhunoi fizikisht vëzhguesin e ndeshjes së Kategorisë së Parë, Sopoti-Burreli 1-0. Presidenti i Burrelit, bashkë me dy futbollistë të Burrelit u shoqëruan në komisariatin e Elbasanit pasi qëlluan duke e lënë pa ndjenja për disa minuta vëzguesin e FSHF-së. Ndeshja e futbollit në mes këtyre dy ekipeve luhej për fazën e dytë të kampionatit, si ndeshje e prapambetur, por që ishte shtyrë për shkak të kushteve të këqija të motit dhe terrenit të rënduar.