E Diel, 1 Nëntor 2026

Komunizmi në modë

Ermal Hasimja

Sado e çuditshme që tingëllon, aktualisht komunizmi ka filluar të rikthehet në modë në mjedise të ngushta. Ajo që e nxit është kryesisht fryma radikale që ai ofron. Dallimi me komunistët që dalin në protesta me rastin e ditëlindjes së Enver Hoxhës ose më 1 maj është se komunistët e rinj nuk njohin dhe aq shumë (ose fare) komunizmin që kaloi Shqipëria, por komunizmin e librave dhe kryesisht atë të pasuesve bashkëkohorë të Marksit.
Nëse do të pyesësh sot 20-vjeçarët tiranas se çfarë ishte në thelb komunizmi i realizuar në Shqipëri do të mbetesh thellësisht i zhgënjyer nga përgjigjja. Ky është një konstatim që e kam matur personalisht në shumë raste, me individë, por edhe më grupe, si individ, por edhe në cilësinë e studiuesit. Imazhi i krijuar te të rinjtë për komunizmin që përjetoi Shqipëria është ai i një tiranie paksa të ekzagjeruar që karakterizohej nga papërgjegjshmëria e udhëheqjes, varfëria, ndalimi për të dëgjuar rock and roll, tepria në trajtimin e armiqve të regjimit dhe njëfarë dogmatizmi i panevojshëm. Ky imazh i varfër nuk është i rastësishëm, por është pasojë e njëfarë banalizimi të komunizmit. Për ata që frymëzohen sot nga idetë komuniste (nganjëherë edhe pa e ditur që janë komuniste) komunizmi shihet si një ide e përkryer teorikisht, por e zbatuar keq në praktikë në vendin tonë. Pothuajse nënkuptohet se komunizmi do të duhet të ishte zbatuar me më tepër seriozitet, sepse vetëm ashtu do të kishte funksionuar. Në fakt, dhe këtu them natyrisht qëndrimin tim, komunizmi është ideja më e keqe e mundshme dhe fatkeqësisht në Shqipëri u realizua në formën më të mirë të mundshme. Ndoshta, i vetmi vend që ia ka kaluar Shqipërisë në zbatimin e tij është Koreja e Veriut. Komunizmi ynë u ndërtua mbi parimet themelore të marksizmit dhe leninizmit, mbi vullnetin për t’i imponuar të gjithëve një vizion absolut politik, në kufizimin në një totalitet instrumental të mendimit dhe veprimit dhe sidomos me synimin për t’i “edukuar” njerëzit e për t’i shndërruar në “njerëz të rinj”. Fatkeqësisht, rinia shqiptare e përfytyron komunizmin kryesisht mbi bazën e disa simptomave të regjimit, por jo mbi bazën e thelbit të tij.
Përse ndodh kjo?
Së pari, sepse imazhi i komunizmit është thjeshtëzuar, komercializuar dhe “bërë i kuptueshëm” për audiencën.
Së dyti, sepse vështrimet që hidhen sot mbi periudhën komuniste nisen nga konteksti aktual. Meqenëse historia e komunizmit i është lënë në dorë kryesisht mediave dhe jo profesionistëve, këto të fundit nuk mund ta bëjnë të kuptueshëm atë, përveçse përmes projektimit të së tashmes në të shkuarën. Botimi i dëshmive dhe kujtimeve të protagonistëve të kohës, (gjë shumë e mirë në vetvete, por e rrezikshme jashtë një analize të plotë) nganjëherë të krijon përshtypjen se politika e viteve 50-60 ishte në thelb një projektim i konflikteve të sotme mes Ramës dhe Berishës, me dallimin që emrat tashmë janë ata të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Nako Spiros, Koçi Xoxes, etj.
Së treti, vetë protagonistët e epokës komuniste synojnë ta “liberalizojnë” idenë e komunizmit. Një shembull i tillë është ai i një protagonisteje të komunizmit, ish-shefe e propagandës së kohës, e cila pak a shumë shfajësohej me idenë se dëmet e komunizmit nuk ishin ende të njohura në kohën kur ajo ishte ende në pushtet. Kjo është teza e ngjashme me atë sipas së cilës të gjithë fajin e kishte Hitleri, ndërsa Gëbelsi, si shef i propagandës dhe të tjerët me të, ishin vetëm vegla injorante të tij. Në fakt, komunizmi nuk ishte vepër ekskluzive e Enver Hoxhës, por edhe e qindra dhe mijëra shqiptarëve të tjerë që në një mënyrë a një tjetër mundësuan funksionimin e tij. Amnistia politike dhe morale e padeklaruar që u realizua në Shqipëri nuk duhet të nënkuptojë as harresën e rolit të këtyre “veglave” dhe as riinterpretimin e funksionit të tyre. Komunizmi nuk ishte një regjim normal “me të metat dhe të mirat e veta”: synimet dhe ideologjia e tij totalitariste u realizuan plotësisht dhe me sukses të plotë, jo vetëm me dijeninë, por edhe me bashkëpunimin e “veglave”.
Së katërti, është vetë qeverisja që e deformon imazhin e komunizmit te brezat e rinj përmes një ligjërimi historikisht bosh që nxjerr në pah pikërisht simptomat. Kjo nuk është e rastësishme, por është një përpjekje eventualisht e vetëdijshme në formën e një lloj rishkrimi të historisë sipas interesave aktuale. Kështu, historia e komunizmit synohet të rishkruhet, duke riformuluar rolet. Ligji i Lustracionit mund të shërbejë si një formë e rishkrimit utilitar të historisë. çuditërisht ligji rishpërndan përgjegjësitë e komunizmit në disa kategori të caktuara ekzekutive (p.sh. prokurorë e gjykatës), duke “harruar” ose trajtuar si “të detyruar prej hallit” të shumë kategorive të tjera, kryesisht të atyre që lidhen në fakt me pjesën më vitale të komunizmit: me shpëlarjen e trurit dhe propagandën. Komunizmi nuk do të kishte mbijetuar më shumë se pak vite në Shqipëri, nëse do të kishte qenë thjesht një tirani e thjeshtë e Enver Hoxhës së shërbyer prej disa prokurorëve, gjykatësve e spiunëve. Ai mbijetoi aq gjatë sepse Partia ia doli me sukses të pjellë “Njeriun e ri”, që është baza e vërtetë e regjimit. Tiranitë përmbysen kollaj me një grusht shteti apo një vrasje misterioze, mirëpo totalitarizmi është shumë më rezistent pikërisht për shkak sepse mbështetet te vetë viktimat e tij. Sa për t’i dhënë një shije pikante këtij aspekti: është interesante të vëresh sesi Lustracioni, në versionet e propozuara prej të majtës e të djathtës, nuk do të kapte vetë diktatorin, ndërsa mund të prekë lehtë “veglat” ekzekutive të tij. Nga ana tjetër Lustracioni nuk prek në asnjë mënyrë pjesën më të rëndësishme të totalitarizmit: propagandën komuniste. Në të njëjtin kah shkojnë edhe përpjekjet për “institucionalizimin e kujtesës” së komunizmit. Ndërtimi i memorialeve, instituteve dhe botimeve pa fund nuk do të ketë asnjë vlerë dhe dobi, madje do të jetë i dëmshëm si shmangie, nëse do të shërbejë vetëm për ekspozimin e prangave, veglave të torturës dhe imazheve të vuajtjeve të të burgosurve apo të pushkatuarve. Duke fokusuar vëmendjen te simptomat sipërfaqësore dhe jo te rrënjët, kjo lloj “kujtese” jo vetëm nuk i shërben kuptimit të komunizmit nga brezat e rinj, por e dhunon këtë kujtesë për aq sa ekziston te brezat që e përjetuan dhe e pamundëson kuptimin nga ata që nuk e kanë pasur këtë përvojë.
Kuptimi i komunizmit shqiptar ka vlerë të madhe, jo thjesht historike. Ai merr vlerë edhe në kuadër të këtij rikthimi në modë të komunizmit në formën e tij teorike, pavarësisht se mund të marrë emra të ndryshëm. Ky rikthim në modë, duke pranuar gjithsesi të drejtën e gjithkujt për të besuar në gjithçka, do të duhet të mos ambalazhohej me tezën e mbrapshtë se në Shqipëri nuk kishte komunizëm, por një deformim të tij. Të paktën kështu, ata që magjepsen sot nga teoritë komuniste të ditëve të fundit do të ishin më të legjitimuar në kërkimin e tyre për një rrugë tjetër, qoftë ajo edhe rruga për asgjëkund.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›