E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza greke, Merkel e Sarkozi arrijnë paktin për ndihmën



Presidenti francez, Nikola Sarkozi dhe kancelaria gjermane, Anxhela Merkel kanë arritur një marrëveshje mbi ndihmën financiare të Greqisë së zhytur në borxhe. Sipas burimeve diplomatike për mediat, marrëveshja që është në duart e Presidentit të përhershëm të Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, parashikon një mekanizëm ndërhyrjeje të bazuar mbi ndihmat vullnetare bilaterale evropiane dhe një pjesëmarrje komplementare të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Mekanizmi do të aktivizohet vetëm “në rast të problemeve shumë serioze dhe në mungesë të alternativave”. Kancelaria gjermane, Merkel ka këmbëngulur që plani të aplikohet vetëm kur Athina të japë shenja se nuk është në gjendje më të paguajë borxhin e saj. Pjesëmarrja e qeverive të eurozonës në mekanizmin e ndihmës (borxheve) për Greqinë do të jetë më e madhe në krahasim me kontributet e FMN-së. Shuma që do të jepet për ndihmë nuk do të jetë dhuratë, por do të ketë taksë. Për sa i përket kushteve që do të ketë Greqia për marrëveshjen, ministrat e ekonomisë së eurozonës duhet të bëjnë një raport për të verifikuar respektimin e impenjimeve të bilancit nga Qeveria greke. Sipas informacioneve nga Parisi, teksti i marrëveshjes i është paraqitur presidentit të Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, i cili duhet ta ekzaminojë dhe të vendosë nëse përbën bazat e duhura për një vendim të denjë për eurogrupin. Pra do të jetë ai që do të vendosë nëse t’ua shpërndajë marrëveshjen vendeve të tjera anëtare dhe do të vendosë nëse duhet të thërrasë edhe një herë samitin e liderëve të Eurozonës. Zyrtarët në Bruksel thanë se paketa e ndihmës, që do të duhet të aprovohet edhe nga vendet e tjera të eurozonës, do të jetë 23 miliard dollarë. Presidenca franceze ka njoftuar se do të duhet të kishte “kushte shumë precize”, në të cilat 16 vendeve të eurozonës u kërkohej që të ndërhyrja për të ndihmuar Greqinë. Për shkak të shtimit të shqetësimeve mbi zgjerimin e problemeve të borxhit të Greqisë, vlera e euros ka rënë ndjeshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›