E Diel, 1 Nëntor 2026

Veneto Banka zyrtarizon prezencën në Shqipëri



Banka “Veneto” ka organizuar dje aktivitetin ku ka lançuar zyrtarisht emrin e ri si pjesë e Gruppo Veneto, një nga 15 grupet kryesore bankare italiane. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ambasadori italian Saba D’Elia, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, dhe ministrat Ridvan Bode i Financave dhe Dritan Prifti i Ekonomisë. Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Bankës “Veneto” në Shqipëri, Libero Catalano u shpreh se misioni i bankës që ai drejton është të jetë një grup novator dhe autonom, udhëheqës në territoret që ai përfshin, i aftë për të ofruar shërbime cilësore. Ndërkohë që Ambasadori D’Elia vuri në dukje faktin që Shqipëria dhe Italia janë të lidhura ngushtë dhe një sasi e konsiderueshme e remitancave vijnë në Shqipëri nga emigrantët që jetojnë matanë detit. Kurse Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti u shpreh se ky grup bankar ka ardhur në Shqipëri me strategjinë e duhur për të mbijetuar dhe për të përfituar nga biznesi në Shqipëri. Ministri i Financave, Ridvan Bode e ka cilësuar prezencën e Grupit Veneto si shumë pozitive, për faktin se ai paraqitet si nga grupet më të konsoliduar të sistemit bankar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›