Romeo Leka, kërkohet dosja e vrasjes me thikë në Greqi
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkon zyrtarisht policisë greke informacione mbi vrasjen e emigrantit shqiptar Renato Krasniqi, i cili dyshohet se është vrarë me thikë, më 9 mars 2010, nga pengmarrësi Romeo Leka. Burime nga organi i akuzës thanë dje se në kuadër të hetimeve që po zhvillojnë Krimet e Rënda në Tiranë kundër Romeo Lekës, policisë greke i është kërkuar informacion mbi rrethanat e vdekjes së emigrantit nga Kukësi, Renato Krasniqi. “Pas pretendimeve të familjarëve, me anë të oficerit të kontaktit të Ambasadës së Shqipërisë në Greqi, është kërkuar informacion nga policia greke në lidhje me vrasjen e emigrantit Renato Krasniqi”, thanë burimet e Prokurorisë. Një ditë pasi Romeo Leka grabiti me armë 30 milionë lekë në një bankë në Tiranë dhe më pas mbajti peng duke kërcënuar me vrasje, 19-vjeçaren Lorio Hatellari, babai i emigrantit nga Kukësi të vrarë në Greqi, akuzoi 25-vjeçari nga Lezha. Babai i të vrarit me thikë në Athinë, tha se Romeo Leka i kishte ekzekutuar djalin në Athinë dhe kjo provohej nga deklarimet e dhëna prej një emigranti tjetër shqiptar me banim në Greqi, i cili banonte në një shtëpi me Renato Krasniqin.
Pengmarrësi “luan” të sëmurin
Pasi tha se “zoti i dinte veprat e tij të mëdha” gjatë marrjes në pyetje në Drejtorinë e Policisë, e më tej u shpreh në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda se i dhimbte koka, Romeo Leka ka bërë paraqitjen e radhës prej një të sëmuri mendor gjatë seancës kur është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. “Ato paratë që kam marrë atë ditë në bankë, duhet të mi ktheni. Nuk ja kam marrë njeriu, i kam marrë në bankë, nuk bëtë mirë që mi morët”, i është drejtuar 25-vjeçari hetuesve që po e merrnin në pyetje. Fjala është për 30 milionë lekët që Romeo Leka kishte marrë nën kërcënimin e armës në filialin e bankës brenda Hotel “Rogner” në Tiranë. çanta me para, ku mungojnë 1.2 milionë lekë nga shuma e grabitur, u sekuestrua nga policia gjatë negocimit me 25-vjeçarin, i cili e hodhi në tokë trastën me para. Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe gjykata janë shprehur se do të zhvillojnë një ekspertim mendor për 25-vjeçarin, i cili ka dhënë shenja ç’rregullimesh nervore. Romeo Leka u deportua nga SHBA në Shqipëri në vitin 2007, pasi u akuzua atje për grabitje bankash dhe trafik e shpërndarje droge.