E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompensimi, 211 përfituesit nga fondi 10 milionë euro

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave shpall emrat e 211 subjekteve që do të shpronësohen nga fondi 10 milionë euro, i akorduar nga qeveria për kompensimin fizik. Nga përfundimi i vlerësimit të 521 kërkesave të subjekteve, do të përfitojnë vetëm 211 prej tyre. Ditën e mërkurë, më 18 nëntor, të gjithë fituesit e këtij fondi do të paraqiten në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të depozituar numrin e llogarisë në të cilin AKKP do të bëjë kalimin e shumave respektive.

Drejtori i AKKP-së, Elvis Çefa, tregon arsyet pse janë skualifikuar subjektet që kanë aplikuar me vendime të ish-komisionerëve që datojnë përpara 1 tetorit 1996. "Janë skualifikuar personat që kanë përfituar kthim prone me vendimin për të cilin kanë aplikuar apo me vendime të tjera. Ose kanë përfituar ata vetë, apo një pjesë e trashëgimtarëve të tyre, tokë nga ligji 7501", tha Çefa. Sipas tij, arsye të tjera që kanë çuar drejt skualifikimit janë pasaktësitë thelbësore hartografike në vendimet e tyre, çka e ka vënë AKKP në pamundësi ligjore të trajtimit pozitivisht të aplikimit të tyre. "Janë skualifikuar edhe ata që kanë pasur mungesa të dokumentacionit ligjor shoqërues të aplikimit, shtoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›