E Diel, 1 Nëntor 2026

Diabetikët pa ilaçe, tenderi i Dashit lë pa insulinë QSUT

Personeli shëndetësor: Pacientët janë të detyruar ti blejnë vetë ilaçet

Edhe pse është cituar e dëshmuar disa herë, se gjendja e medikamenteve në spitalin e sëmundjeve të brendshme e në përgjithësi e të gjitha spitaleve të tjera në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza është tejet e vështirë, sërish problemi nuk është prekur.

Pacientët janë ata të cilët edhe pse e ndjejnë në mënyrë të drejtpërdrejtë mungesën e theksuar të ilaçeve, duket se janë mësuar me to. Mungesa e tyre duke përfshirë jo vetëm ato të shtrenjtat por edhe ilaçet kryesore për mjekimin e sëmundjeve të ndryshme. Gjendja e medikamenteve në pavijonin e sëmundjes së Diabetit, është e njëjtë ai në pavijonet e tjera. Kohët e fundit mungesa e theksuar e ilaçeve duke përfshirë edhe medikamentit kryesor që ndihmon në kurimin e sëmundjes, së Diabetit  e cila është insulina ka shkaktuar mjaft shqetësime jo vetëm për pacientët por edhe për vetë mjekët. Burime nga QSUT kanë deklaruar ditën e djeshme për gazetën SOT se pacientët e pavijonit të Diabetit që prej 7 muajsh kanë mungesa të theksuara medikamentesh duke përfshirë këtu edhe medikamentet kryesore të mjekimit të kësaj sëmundjeje sidomos të një prej tyre e cila është më e rëndësishmja dhe me efektivja për mbajtjen nën kontroll të agravimit të sëmundjes. Ndër të tjera burimet bëjnë të ditur se ka disa vite që në të gjitha pavijonet e spitalit të sëmundjeve të brendshme, nuk është kryer prej vitesh asnjë rikonstruksion në lyerje, suvatime apo vendosje të dyerve apo dritareve të cilat në të shumtën e rasteve futin edhe shiun Brenda në dhoma. Por sipas këtij burimi një tjetër shqetësim për vetë stafin e spitalit të sëmundjeve të brendshme mbeten edhe politikat e Ministrisë së Shëndetësisë e të  Drejtorisë së QSUT-së e cila edhe pse ka marrë disa herë sinjalizime për mungesat e theksuara të ilaçeve ende nuk ka marrë masa në lidhje me këtë problem. Sipas burimeve konfidenciale tashmë është bërë edhe tenderi i ilaçeve i cili nuk dihet përse nuk ka marrë një zbatim nga Drejtoria e QSUT-së. Nga ana tjetër  vetë pacientët e shtruar në pavijonin e diabetit në QSUT, kanë deklaruar ditën e djeshme se në të shumtën e rasteve të gjitha mjekimet blihen me kursimet e tyre, dhe kjo situatë është e vazhdueshme, që prej më shumë se 7-8 muajsh. Sipas tyre edhe gjilpëra e insulinës e cila është detyrueshme të jepet për të gjithë të sëmurët që janë të shtruar në këtë pavijon, mungon. Dhe për këtë arsye  të afërmit e pacientëve detyrohen ti blejnë vetë medikamentet dhe gjilpërat e nevojshme.


Kushtet
Ndërsa përsa  i përket kushteve në pavijonin e diabetit vetë pacientët deklarojnë se kjo gjë vazhdon të mbetet e njëjtë si më parë. Mungesa e theksuar e mjeteve duke përmendur deri mbajtëset e serumeve apo vigonët e serumeve janë elementët të cilët përbëjnë edhe këto probleme të mëdha me pacientët e të afërmit e tyre pasi në 70 për qind të rasteve janë vetë qytetarët që i blejnë ato. Por mesa duket një nga shkaqet kryesore për mungesën e medikamenteve është edhe vonesa pa arsye e çeljes së tenderave nga ana e Drejtorisë së QSUT-së e cila duket sikur mban peng furnizimin me medikamente jo vetëm të pavijonit të Diabetit por edhe të pavijoneve të tjera në spitalin shtetëror. Por edhe pse në Drejtorinë e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza ankesa të shumta kanë shkuar si nga pacientët ashtu edhe nga mjekët, drejtori Dashi duket sikur vonon pa shkas tenderin e ilaçeve për të sëmurët. Madje ky nuk ka qenë rasti i parë që nga drejtoria e QSUT-së vonesat e medikamenteve kanë qenë problematike për pacientët. Mungesa e theksuar e ilaçeve është më së shumti në spitalin nr 1 ku mjekohen sëmundjet e brendshme, por jo vetëm aty. Edhe në spitalin pediatrik mungesa e ilaçeve ka shkaktuar herë pas here reagimin e prindërve që kanë të shtruar fëmijët e tyre në këtë spital e jo vetëm kaq.


Precedenti
Në disa raste kanë qenë edhe vetë mjekët që e kanë deklaruar këtë problem. Ndër të tjera mjekët theksojnë faktin se ka pasur raste që edhe pse gjendja e disa pacientëve ka qenë problematike, ka pasur shumë pak rezerva ilaçesh me të cilat janë bërë edhe ndërhyrjet apo mjekimet e nevojshme. Ndërsa vetë të afërmit e pacientëve që janë shtruar në pavijonet e Onkologjikut kanë deklaruar se shumicën e ilaçeve ua sigurojnë të afërmit e tyre ose e blejnë nga jashtë shtetit. Sipas vetë pacientëve mungesa e ilaçeve është problem tepër serioz e Ministria e Shëndetësisë por edhe Drejtoria e QSUT-së duhet të marrë sa më shpejt masa.


Arta AGOLLI

Last Updated on Thursday, 13 May 2010 21:20

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›