E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompanitë celulare abuzojnë me çmimet, 26 për qind më të shtrenjta

Operatorët celularë, afat deri në 1 shtator për të ulur çmimin në 10.5 lekë për minutë

Tarifat e shërbimit të telefonisë celulare në vend janë 26 për qind më të larta se normat e lejuara. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka hartuar një metodologji për përcaktimin e kostove të çdo shërbimi, mbi bazën e të cilave më pas do të përcaktohet

edhe tarifa për çdo shërbim. AKEP u ka lënë kohë kompanive të telefonisë celulare që operojnë në vend deri në 1 shtator 2010 për të përafruar tarifat me ato të Bashkimit Evropian. Në përfundim të afatit, vlera mesatare e shërbimit duhet të jetë 10.5 lekë për minutë. Aktualisht tarifat e telefonisë celulare në Shqipërisë janë pesë herë më të larta se në Itali dhe 7 herë më të larta se mesatarja e gjithë vendeve të eurozonës. Një sms nga çdo operator i telefonisë celulari drejt një operatori tjetër kushton mesatarisht 20 lekë për abonentët me parapagesë. Në raport me vendet e tjera të eurozonës kjo diferencë thellohet dhe arrin në raportin një me shtatë. Nëse një banor në vendet e eurozonës ka të ardhura mesatare vjetore prej 30 mijë euro në vit paguan për një sms më pak se 0.03 cent. Ndërsa një shqiptar që i ka të ardhurat mujore rreth 3 mijë euro në muaj paguan për një sms 20 lekë. Në tregun vendas, prej kohësh operojnë tri kompani celulare. AKEP pretendon se çmimi është reduktuar dhe është ulur kostoja për bisedat telefonike. Shqipëria numëron rreth 2.5 milionë abonentë, në një kohë që në treg pritet të shtohet dhe një kompani tjetër celulare, duke e çuar numrin në katër.


Referencat për tarifat
Burime zyrtare pranë AKEP bëjnë të ditur se ky institucion ka hartuar metodologjinë për përcaktimin e çmimeve, e cila u kërkohet të vihet në zbatim plotësisht deri më 1 shtator të këtij viti. Projekti parashikon që AKEP të rregullojë tarifat sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj, duke iu referuar niveleve që zbatohen në tregun evropian apo atë të vendeve të rajonit. Referuar ligjit, në këtë rast, tarifat e referencës mund të merren në nivel mesatar, ose duke përdorur teknika të gërshetuara për llogaritjen e tyre. Për të orientuar tarifat që përdorin konsumatorët përfundimtarë drejt kostos, që është edhe thelbi i këtij ligji, nevojitet që fitimi i realizuar në Shqipëri nga kompanitë me fuqi në treg të janë të ngjashme me fitimet mesatare në vendet e tjera të Bashkimit Europian, rajonit apo të vendeve të tjera në zhvillim. Enti Rregullator duhet të bëjë atë që ka katër vjet që nuk e bën, të llogarisë metodologjinë dhe kostot e operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg. Tarifat që rregulloi ligji ishin dy; shërbimet universale, që është shumë normale që të rregullohen me ligj, sepse kërkohen të realizohen objektivat sociale të qeverisë dhe në disa raste qeveria mund të mbulojë edhe një pjesë të tyre, ndërsa, rasti tjetër është ai i sipërmarrjeve me FNT në tregun përkatës.


Operatori i katërt
Pas përfundimit të gjithë procedurave ligjore për hyrjen e operatorit të katërt në tregun e telefonisë celulare dalje e tij në treg u vendos në muajin mars. Më pas me miratim të AKEP është caktuar 22 qershori, por në këtë datë kompania celulare nuk është gati për të hyrë në tregun e komunikacionit dhe për këtë qëllim është caktuar data 8 korrik. Qeveria shqiptare ka vendosur që të japë licencën e operatorit të katërt të telefonisë së lëvizshme pa zhvilluar tender. Tenderi për dhënien e kësaj licence ka dështuar, por kjo nuk e ka penguar qeverinë që t'i kërkojë parlamentit që t'i hapë dritën jeshile konsorcinarit që ka ngritur Postë-Telekomi i Kosovës për marrjen e kësaj licence. Tenderi ishte anuluar nga Enti Rregullator i Telefonisë, që edhe zhvilloi tenderin për shkak se asnjë nga firmat nuk arriti që të plotësojë kriteret e vendosura. Kjo nuk e ka penguar qeverinë që të shpallë fituese dhe t'i japë licencën Postë- Telekomunikacionit, Kosovë (PTK) që përfaqëson kompanitë Union Grup, Infosoft, Albania Drink Distribution, ACI Engineering sh.p.k. Bashkimi i tyre ofroi 7.2 milionë euro për licencën e telefonisë së katërt celulare në Shqipëri. Vendimi i Këshillit të Ministrave dhe më pas miratimit në Kuvend i hapën rrugë nisjes së punës për instalimin e pajisjeve për operatorin e katërt.

Procesi i përafrimit të tarifave
Metodologjitë e rregullimit të tarifave të shërbimeve me pakicë dhe me shumicë po kryhen në kushtet kur mungon përllogaritja e kostove të shërbimeve operatorëve celularë, sipas një metodologjie të ofrimit eficient të shërbimeve. Megjithatë, duke u bazuar në të dhënat e depozituara nga operatoret, si edhe nga përvoja ndërkombëtare në lidhje me tarifat dhe strukturën e kostove të shërbimeve të telekomunikacioneve të rrjeteve fiks dhe mobile, është e qartë se një pjesë e konsiderueshme e shërbimeve fikse dhe celulare nuk përputhen me nivelin e kostove eficente, çka rezulton në norma të larta fitimi sidomos për operatoret e telefonisë së lëvizshme (celulare). Gjatë periudhës në të cilën do të jetë në zbatim rregullimi i tarifave nëpërmjet metodës price cap dhe reduktimit të shkallëzuar të tarifave të terminimit, ERT ka parashikuar të kryhet vlerësimi i kostove të cilat do të jenë të auditueshme. Në mënyrë që kostot e përllogaritura nëpërmjet këtyre modeleve të jenë të plikueshme apo të pranueshme për ERT, do të zbatohen rregulla për mbajtjen e llogarive të ndara. Aplikimi paralel i metodologjisë së rregullimit të tarifave dhe përllogaritjes së kostove është i nevojshëm për të realizuar objektivin e ribalancimit të tarifave metoda më e përshtatshme për tarifimin e shërbimeve të interkoneksionit është metoda e kostove inkrementale afatgjatë (LRAIC).

Ornela Manjani

Last Updated on Thursday, 13 May 2010 21:20

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›