Dializa, transport falas për të sëmurët që do trajtohen
zirina llambroTransporti i të sëmurëve me veshka, që vijnë nga rrethet për të marrë trajtim në Tiranë do të përfshihet në koston e shërbimit të dializës. Ministria e Shëndetësisë do të rrisë numrin e të sëmurëve që trajtohen me dializë, në rreth 500 persona, me tendencë shtimin e numrit të tyre në të ardhmen, deri në 800 të tillë. Ndërkaq, rreth 60 të sëmurë të rinj pritet të futen në skemën e dializës vitin që vjen, në qytetin e Fierit. Në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA), kanë përfunduar modalitetet për ngritjen pranë Shërbimit të Pediatrisë, të një qendre dialize për fëmijët. Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili i bëri këto deklarata dje, gjatë takimit në komisionin parlamentar të shëndetësisë për mjekimin zëvendësues të funksionit të veshkës. Sipas Vasilit, me shtrirjen e skemës së sigurimeve të kujdesit shëndetësor në spitalet, problemi do të zgjidhet gradualisht, duke u mbuluar me dializë gjithë vendi. Ministria e Shëndetësisë synon rritjen nga viti në vit të financimit dhe kontraktimit dhe me qendra të tjera dialize, publike apo private, të shtrira në ato vende, ku është dhe fluksi i të sëmurëve. “Me rritjen e financimit dhe shtimin e qendrave të dializës, mendojmë që të përmirësohet akoma më tepër cilësia e shërbimit, duke kryer seancat e nevojshme të dializës të përcaktuara nga mjeku, për çdo të sëmurë”, tha ministri Vasili. Me shtrirjen e skemës së sigurimeve të kujdesit shëndetësor në spitale, me përcaktimin e kostove të shërbimeve, pritet t’i jepet zgjidhje përfundimtare problemit të transportit të të sëmurëve nga banesa drejt qendrës, ku marrin shërbimin shëndetësor, duke e inkluduar koston e transportit të të sëmurëve, në koston e shërbimit të dializës. Kjo ka qenë dhe një kërkesë e vazhdueshme e shoqatës së pacientëve të dializës. Aktualisht disa spitale e mbulojnë me automjetet e tyre, ndërsa disa spitale rimbursojnë biletën me një kuotë të caktuar, gjë që nuk e zgjidh plotësisht problemin. Në kuadër të punës së nisur për përgatitjen e politikave që do të ndiqen për mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore, Ministria e Shëndetësisë, veç planifikimit për rinovimin e aparaturës mjekësore të nevojshme për dializën dhe sigurimit të aparateve rezervë, është orientuar drejt lidhjes së kontratave me kompani private për mirëmbajtjen e tyre. Në këtë kontekst, problemi i gatishmërisë së aparaturave të dializës, pritet të zgjidhet përfundimisht. Mbas kontraktimit me Qendrën e Dializës në Spitalin Amerikan Ballkan Aleance, në Laprakë, këta të sëmurë, vazhdojnë të marrin këtë shërbim, në kushte dhe cilësi mjaft të mirë. Gjithashtu, trajtohen dhe 35 të sëmurë me dializë peritoneale. Gripi, jashtë rrezikut për jetën pesë personaDalin nga rreziku për jetën 5 persona të prekur nga gripi i derrave. Këtë konfirmoi dje Ministria e Shëndetësisë. Sipas këtij, dikasteri ata kanë dalë nga intubimi dhe kanë shënuar përmirësim. Aktualisht, në gjendje të rëndë është edhe një person tjetër. Po dje, Ministria e Shëndetësisë konfirmoi mbërritjen e 10 mijë dozave të para të vaksinës. Ato janë pjesë e një kontingjenti prej 250 mijë vaksinash, të porositur nga Ministria e Shëndetësisë dhe momentalisht ndodhen në proces zhdoganimi pranë doganës së Hanit të Hotit dhe Tiranës. Me një urdhër të posaçëm të ministrit të Shëndetësisë, bazuar dhe në rekomandimet e OBSH, ky kontingjent vaksinash do të përdoret për imunizimin e grupeve në risk, që janë personeli shëndetësor, fëmijët dhe prindërit e fëmijëve deri në moshën 5-vjeçare dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike “Ka një plan dërgese nga firma farmaceutike hungareze, ku janë vaksinat. Javët në vijim pritet të vijnë me nga 10 mijë dozat e tjera”, u shpreh drejtori i përgjithshëm i politikave spitalore Pëllumb Pipero.