E Shtunë, 31 Tetor 2026

IOM: Klima faktor për emigracionin

 Nevojiten përpjekje më të mëdha përtej Kopenhagenit për trajtimin e çështjes komplekse të migracionit të nxitur nga mjedisi dhe klima. Këtë deklaratë bënë dje përfaqësuesit e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Migrantëve. Teksa udhëheqësit e mbarë botës marrin pjesë në ditën e fundit të Konferencës së OKB për Ndryshimet Klimaterike në kryeqytetin e Danimarkës, duke pasur parasysh arritjen e një marrëveshjeje në nivel global, në lidhje me ndryshimet klimaterike, që mund ose jo të ndikojnë tek migracioni dhe shpërngulja, realiteti është se ndryshimi i klimës dhe shkatërrimi i mjedisit janë duke gjeneruar migracion apo shpërngulje në të gjithë planetin. Në mënyrë të veçantë kjo barrë po bie mbi vendet më të varfra. Ekzistojnë mangësi të mëdha në njohjen dhe të kuptuarin e trajtimit, në mënyrë sa më të mirë të pasojave të shumta komplekse të migracionit mjedisor. “Askush nuk e di me të vërtetë sa njerëz po migrojnë vullnetarisht apo janë të detyruar ta bëjnë këtë për shkak të ndryshimeve klimaterike apo degradimit të mjedisit. Ajo që dimë është se një pjesë e madhe e këtij migracioni është i brendshëm apo ndërkufitar dhe kjo është një prirje gjithnjë në rritje,” tha Drejtori i Përgjithshëm i ONM William Lacy Swing. Trysnia gjithnjë e më e madhe e migracionit si rezultat i efekteve të ndryshimit të klimës i shtohen nevojës së ngutshme për trajtimin e sfidave ekzistuese të menaxhimit të migracionit. “Garantimi i mbrojtjes së efektshme të të drejtave njerëzore të të gjithë migrantëve, përfshi edhe atyre mjedisorë, dhe ofrimi i asistencës së duhur për personat në nevojë që zhvendosen do të vazhdojë të jetë një nga përparësitë kyçe të IOM-it. Duke punuar së bashku me agjencitë partnere në Grupin Global për Migracionin dhe më gjerë, ne do të vazhdojmë gjithashtu të punojmë në pakësimin sa më shumë të jetë e mundur të migracionit të detyruar, për të siguruar që kur migracioni të ndodhë, kjo të jetë zgjidhja e gjithsecilit”, shtoi Z. Swing. Një raport i IOM-it i publikuar rishtazi thekson se shumica e migracionit që ndodh për shkak të faktorëve mjedisorë është i brendshëm. Disa vende aziatike, për shembull, po bëjnë përpjekje për të menaxhuar migracionin masiv rural-urban, si rrjedhojë e shkatërrimit nga përmbytjet e herëpashershme të burimeve bujqësore të jetesës dhe i detyrojnë njerëzit të lëvizin në zona urbane të mbipopulluara, me pasoja dramatike për infrastrukturën, shërbimet publike dhe shëndetin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›