Dy aksidente me vdekje në Tiranë
TIRANE - Brenda 24 orëve në kryeqytet dy persona kanë humbur jetën nga aksidentet automobilistike. Viktimat kanë qenë një kalimtar i moshuar dhe një 40-vjeçar që është përplasur duke drejtuar makinën. Burime nga policia thanë se ngjarja e parë ka ndodhur në afërsi të Sheshit “Rilindja”, të rrethrrotullimi, ku një automjet që drejtohej nga një 15-vjeçar me iniciale Xh.B., ka përplasur këmbësorin 89-vjeçar, Sulejman Dragoshi. Ky i fundit ka qenë duke kaluar nga njëri krah i rrugës në tjetrin dhe është aksidentuar nga automjeti tip “Benz”, me targë TR 8284 S, të cilën e drejtonte i mituri. I moshuari është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, por nuk ka mundur të mbijetojë. Për këtë aksident është vënë në pranga 15-vjeçari. Ndërsa aksidenti tjetër ka ndodhur mesditën e djeshme, në afërsi të mbikalimit të Rinasit, në autostradën Tiranë-Durrës. Sipas policisë, makina që drejtohej nga 40-vjeçari, Nexhmedin Plaka, ka dalë nga rruga si rezultat i shpejtësisë dhe rrëshqitjes nga lagështira dhe është përplasur me një shtyllë neoni në anë të rrugës. Si pasojë ka mbetur i vdekur në vend drejtuesi i mjetit Plaka.