E Shtunë, 31 Tetor 2026

Standardet demokratike dhe partitë politike

Musa Ulqini Sa më shumë të respektojnë standardet demokratike në funksionimin e tyre partitë politike, aq më i garantuar është funksionimi demokratik i vetë shoqërisë. Ky është pak a shumë konkluzioni i shumicës së studiuesve, teoricienëve e politologëve që merren me problemet e mirëfunksionimit të demokracisë.Nëse demokracia jonë në tranzicion ka kaq shumë probleme, një arsye e dorës së parë është mungesa e standardeve demokratike në funksionimin e partive tona. Sa kohë që demokracitë nuk mund të funksionojnë pa partitë politike, sa kohë që partia politike është parimi kryesor organizativ i politikës moderne është e kuptueshme, që mungesa e standardeve demokratike në funksionimin e partive politike është një handikap i madh i sistemit tonë politik.  1. Kuvendet, kongreset, konventat janë ngjarja më e rëndësishme në jetën e brendshme të një partie, ku në mënyrë sintetike tregohet, dëshmohet, provohet përpara të gjithëve standardi demokratik në bazë të së cilit funksionojnë forcat politike. Si përthyhet ky standard demokratik në veprimtarinë e dy partive kryesore të vendit? Kuvendi i 9 PD-së, i cili u zhvillua ditë më parë, ishte prova më e gjallë e mungesës së standardeve demokratike në këtë parti. Një kongres pa analizë për rezultatin e zgjedhjeve (PD nuk arriti objektivin e saj politik, për të pasur mbi 71 vende në Parlament), pa ide e alternativa të qarta për të ardhmen, me një kandidat të vetëm që mori 99.99 për qind të votave!Kongresi i PS që u zhvillua muaj më parë duhej të bënte diferencën me të gjitha partitë e tjera dhe ta çonte më tej traditën e saj të mëparshme demokratike. Në fakt, ndodhi e kundërta. Seanca kryesore u zhvillua larg syve të publikut dhe të mediave. As edhe një analizë kritike për rezultatin, që e la këtë forcë politike në opozitë. Alternativa e vetme e së ardhmes-hapja e kutive të votimit. Një fushatë zgjedhore fasadë në parti dhe një kryetar që merr mbi 96 për qind të votave. Ndërkohë që në bazë të statutit dhe të standardeve të demokracisë ai duhej të largohej për shkak të humbjes.     2. Në partitë politike shqiptare roli i ekipeve, forumeve, institucioneve ka ardhur duke u shuar përballë rolit të kryetarëve që ka ardhur duke u forcuar. Për katër vjet me radhë PD në pushtet e mblodhi vetëm një herë forumin e vet qendror-Këshillin Kombëtar. Ndërsa PS ka gjashtë muaj që ka forume të rëndësishme pa drejtues: grupin parlamentar, FGS dhe qarkun e Tiranës. Sot në të vërtetë në vend të siglave të partive fare mirë mund të ishin emrat e kryetarëve. Ndërkohë partitë moderne, pavarësisht nga ngjyrimet politike,të majta apo të djathta e kanë standard të patolerueshëm qeverisjen me ekipe dhe në mënyrë institucionale, larg çdo autoritarizmi të numrit një të partisë. 3. Në një intervistë të publikuar këto ditë në shtypin e përditshëm Mirela Bogdani, kandidate për deputete e Partisë Konservatore në Britaninë e Madhe shpjegonte se cili është mekanizmi i përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë në këtë parti, njëra prej partive më të mirënjohura të Evropës Perëndimore. Ky proces kalon në pesë faza. Faza e parë është seleksionimi i kërkesës individuale për kandidim në Komisionin e Seleksionimit të Kandidatëve, një strukturë e pavarur nga kryesia e partisë. Faza e dytë është studimi i tre referencave për kandidatin në fjalë nga anëtarët e komisionit. Faza e tretë është një testim me pesë provime para një paneli të përbërë nga deputetë dhe aktivistë partie, i cili quhet ndryshe Bordi Parlamentar i Përzgjedhjes. Faza e katërt është prezantimi i kandidatëve përpara anëtarëve të partisë së zonës (qarkut) të cilët me votim të fshehtë përzgjedhin kandidatin fitues. Faza e pestë është trajnimi i kandidatëve nga “Association of Conservative Candidates”, i cili i përgatit kandidatët për të qenë të suksesshëm në betejën elektorale përballë kandidatëve kundërshtarëve. I gjithë ky proces përzgjedhjeje zgjat jo më pak se 2 vjet. Përballë këtij standardi të një partie si ajo e konservatorëve anglezë, standardi i përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë nga dy partitë kryesore në vend në zgjedhjet e fundit elektorale ishte tejet primitiv. Kandidatura të pakonsultuara, të pavotuara, të përzgjedhura vetëm nga kryetarët respektivë dhe të shpallura në mesnatë, as edhe një minutë përpara afatit ligjor të përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Kriteri kryesor i përzgjedhjes-raporti i tyre me kryetarin. Ndërkohë që, në të gjithë literaturën politike bashkëkohore një nga funksionet parësore të partive politike është përzgjedhja përfaqësuese, transparente dhe demokratike e kandidatëve për qeverisjen vendore, qendrore dhe në pushtetin legjislativ. 4. Një nga shqetësimet kryesorë të së gjithë ndërkombëtarëve,që monitorojnë proceset demokratike në Shqipëri, është korrupsioni i lartë në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të gjitha strukturat e sistemit tonë politik. Korrupsioni i lartë dhe lufta e munguar kundër tij janë të lidhur ngushtë me mungesën e standardit të mirënjohur demokratik të transparencës, standard, i cili është shumë larg aplikimit të tij në realitetin tonë, sa kohë mungon vullneti politik i liderëve të dy partive kryesore. Ndërkohë qytetarët shqiptarë dëgjojnë çdo ditë nga goja e të dy drejtuesve akuza pafund për korrupsionin: miliona e miliona para të taksapaguesve të vjedhura e të shpërdoruara, njëri thotë nga Qeveria, tjetri thotë nga Bashkia. Fakt mjaft domethënës është edhe mungesa e plotë e transparencës në financimin e partive politike, edhe pse kjo është një kërkesë kushtetuese. 5. Lufta politike e këtyre ditëve ka njohur një regres të jashtëzakonshëm. Diskursi politik i dy liderëve është jashtë çdo standardi demokratik. çdo ditë opinioni publik bombardohet me deklarata të pafundme politike që kanë emërues të përbashkët fjalorin e ashpër jashtë çdo etike qytetare. Kampionët e vërtetë të kësaj përballje verbale të pashembullt, dy liderët e partive kryesore, sulmojnë njëri-tjetrin me argumente parapolitikë, që kanë në qendër të tyre familjet reciproke. Një fjalor që s’ka asgjë të përbashkët as me gjuhën që përdorin liderët politikë në Evropën ku duam të anëtarësohemi. Në vend të dialogut politik në institucionet ku bëhet politikë, të dy liderët i dërgojnë njëri tjetrit mesazhe lufte, kryesisht nga konferencat e shtypit ose mitingjet respektive, mitingje të cilat kanë në shumicën e tyre ose nëpunës të administratës shtetërore ose nëpunës të administratës së njësive të qeverisjes vendore. 6. Po si është e mundur, mund të pyesë kushdo, që dy partitë kryesore PD dhe PS janë sot anëtare të forumeve ndërkombëtare që grupojnë partitë respektive PPE dhe ISE, edhe pse janë kaq larg standardeve të njohura demokratike në funksionimin e  tyre? Procesi i anëtarësimit të partive kryesore politike shqiptare në forumet respektive evropiane është një proces i kushtëzuar nga gjithë procesi i integrimit të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike. Ky anëtarësim është një mundësi që u jepet forcave politike shqiptare për t’u njohur me përvojat më të mira dhe standardet kryesore demokratike se si funksionojnë sot partitë politike në vendet demokratike. Regresi që vihet re, veçanërisht kohët e fundit, në funksionimin e partive politike në Shqipëri është një shërbim tjetër i keq që politika i bën gjithë procesit të integrimit të Shqipërisë në familjen e vendeve demokratike, duke e vonuar këtë integrim për shkak të mos respektimit të standardeve demokratike. Mesa duket shqiptarët do të vazhdojnë ende edhe për disa vite që ditën e zgjedhjeve të votojnë forcën politike që është “e keqja më e vogël” në vend që të votojnë forcën politike që është “alternativa më e mirë”, siç ndodh kudo në botën demokratike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›