E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazetaria politike në Shqipëri pas 28 qershorit

M.A. Jonila Godole Gjatë zgjedhjeve të fundit elektorale u duk sikur agjencitë dhe zyrat e marrëdhënieve me publikun pranë partive politike e morën vetë në dorë përcaktimin e rëndësisë lajmore nëpër redaksi. Edhe ata gazetarë që vijuan të jenë aktivë shërbyen më tepër si aksesorë të fushatës, duke komentuar sondazhet e përditshme dhe duke e nisur çdo argumentim për rezultatet e pritshme të zgjedhjeve me fjalën “nëse”. Qysh atëherë u shfaqën dukshëm tiparet e një krize në gazetarinë politike. Personalizimi i debatit dhe fyerjet mbetën edhe pas fushatës, atëherë kur politika u zhvendos nga salla e Parlamentit për në faqet e shtypit politik dhe në studiot televizive. Por megjithëse roli aktorial i medias ka ardhur duke u rritur deri në atë masë sa tashmë mund të merret si i mirëqenë – aq sa disa media, shtyp apo televizione, janë kthyer gati në media-parti, - gazetaria politike nuk i shfrytëzon përnjëmend të gjitha armët e saj sepse vuan nga mungesa e pavarësisë editoriale dhe reflekton të gjithë elementët problematikë të sistemit politik shqiptar. Mënyra se si transmetohet politika në shtyp dhe në formatet politike televizive merr një rol vendimtar për cilësinë e diskursit politik në një shoqëri demokratike. Prandaj pyetja qendrore që del në këtë kontekst është nëse raportimi mediatik mbi politikën iu mundëson qytetarëve një pjesëmarrje vërtet informuese në procesin politik apo jo (para dhe pas proceseve zgjedhore), apo mjaftohet (këtu sidomos televizioni) me një thjeshtim të këtyre përmbajtjeve, duke krijuar në fund një realitet politik që nuk ekziston, një realitet fantazmë.Kujtoni të burgosurit në shpellën e Platonit, që të lidhur me zinxhirë dhe të ulur me shpinë nga burimi i dritës, shohin vetëm hijet e objekteve në murin përballë dhe i marrin këto për realitet. Që realiteti të dallohet nga shajnia do të duhej detyrimisht që së paku dikush të ngrihej dhe të braktiste shpellën: Vështirë të ndodhë. Të burgosurit e atëhershëm mund të ishin lexuesit e sotëm të shtypit dhe shikuesit e televizionit, për të cilët, realitetet politike dhe sociale sot, vetëm sa kalojnë tangjent apo transmetohen dhe konstruktohen në shoqërinë multimediale të informacionit në mënyrë selektive. Në të njëjtën kohë, në procesin politik vendimet politike sa vijnë e bëhen më komplekse dhe thelbi i tyre depërtohet shumë më pak nga qytetarët, të cilët si burim të vetëm informacioni kanë masmedian dhe retorikën politike në të. Kështu që logjika e seleksionimit redaksional profesional të lajmit zhvendoset në qendër të demokracisë mediatike, - ku televizioni mbetet dominues për komunikimin publik politik. Kjo krizë komunikimi, e cila nuk është veç tipar i marrëdhënieve shqiptare media-politikë, por një dukuri e përhapur tashmë edhe në vendet perëndimore, njohur ndryshe si model i moshës së tretë të komunikimit politik („third age of political communication“)1  teorikisht ka si karakteristika kryesore paradigmat e personalizimit, të daljes nga detajet teknike dhe të përqendrimit te forma, si dhe negativizmin konfrontues, sidomos në mbulimin mediatik të politikës dhe fushatave elektorale2 . Në këtë kuadër, punimi analizon zhvillimin e gazetarisë politike pas zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009, ku media ka qenë “ballkon” i opozitës dhe i komunikimit të dyanshëm pozitë-opozitë. Ai synon të japë një panoramë të plotë të tematikës që ka shqetësuar gazetarinë politike gjatë gjashtë muajve të fundit. Dy janë pyetjet kryesore që shtrohen: 1. Me gjithë numrin e lartë të analistëve dhe të formateve mediatike politike që prodhojnë opinion, a ndodhet gazetaria politike në krizë, dhe nëse po, cila është specifika e saj? 2. A është e njëanshme gazetaria politike dhe në mënyrë të veçantë gazetarët politikë në Shqipëri? Për t’iu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, punimi i mëposhtëm do të ndjekë dy linja arsyetimi. E para është analiza teoriko-sistematike, që synon të përvijojë tiparet e komunikimit politik në Shqipëri duke u bazuar te sektori politik në media, ku bashkëpunojnë ngushtë aktorët dhe proceset e sistemit politik, (edhe pse sektorë të tjerë si ekonomia apo kultura vazhdimisht transmetojnë përmbajtje politike). Kurse linja e dytë është ajo e një analize empirike përmbajtjeje të dy shtyllave të forta të gazetarisë politike në shtyp dhe televizion, respektivisht komentit dhe debatit politik. Koha e përzgjedhur për analizë është periudha 1 korrik - 15 dhjetor 2009. Për shqyrtim janë marrë 207 komente politike të botuara në dy prej gazetave më të mëdha ditore; përkatësisht 91 komente botuar në gazetën “Shqip” dhe 116 në gazetën “Panorama”. Janë përzgjedhur për analizë vetëm ato komente që në titull ose në paragrafin e parë përmbanin një temë politike. Komentet satirikë, njohur ndryshe si fejtonë, janë lënë jashtë studimit. Nga televizioni janë përzgjedhur tre formate me një profil të dukshëm politik. Gjithsej 76 emisione televizive politike, përkatësisht 36 emisione “Opinion” në TV Klan; 20 emisione “Top Story” në Top Channel dhe 20 emisione “Ora e debatit” në TV-Ora News, të gjitha përzgjedhur në varësi të tematikës politike të trajtuar dhe të ftuarve në panel. Përzgjedhja e formatevePërse janë zgjedhur këto dy formate gazetareske? Së pari: Zhanri i komentit politik shërben si një format i lartë selektues, ku diskutohen ngjarjet më të rëndësishme të ditës apo të tjera më pak aktuale. Komenti pasqyron orientimin politik të gazetës dhe bën dallimin e saj nga konkurrenca. Për të kuptuar më mirë specifikën e komentit duhet të kemi parasysh karakteristikat e hapësirës publike, në të cilën aktorë të ndryshëm ligjërojnë mendimet e tyre si të ndodheshin para një publiku. Pra, kemi të bëjmë me një lloj arene të mendimit3 . Së dyti, formati i emisionit politik televiziv, njohur ndryshe me emrin “debat politik”, është vendi ku politikanët ftohen rëndom për të prezantuar ngjarjet dhe vendimet politike aktuale. Përshkallëzimi i konceptit të arenës dhe shfaqja gati reale përballë publikut e bën këtë format akoma më konkurrues se komenti në shtyp. Kjo shpjegon edhe shtimin e formateve të ngjashme televizive vitet e fundit. Sot në Shqipëri nuk ka asnjë televizion që synon të renditet në krye, të mos ofrojë të paktën një emision politik të këtij lloji. Paradigma e gazetarisë dhe e gazetarit politikKur flasim për një ndër format më ndikuese në analizën praktike të politikës, problemi kryesor qëndron te paradigma terminologjike që përmban vetë fjala “gazetarì”, me të cilën mund të nënkuptojmë një grup të madh, ku përfshihen gazetarë, botues, por edhe organizata, agjenci mediatike apo shoqata të lirive dhe të drejtave të gazetarëve. Të gjitha këto ngrihen dhe akordohen në vetvete për të përpunuar informacione.4  Në dallim nga fusha të tjera të publicistikës si p.sh. filmi, gazetaria ka si funksion primar transmetimin në kohë reale të informacioneve për komunikimin publik. Kësisoj edhe dallimet në marrëdhënien media-politikë duhen parë të gërshetuara në sistemin mediatik dhe atë politik. Nëse do të analizoheshin edicionet e lajmeve do të binte në sy se pjesa më e madhe e aktualitetit lajmor janë informacione kampesh “armike” dhënë një pale të tretë, që nga njëra anë rrit statusin e saj prej aktori në komunikimin publik dhe politik, porse nga ana tjetër humbet pa vënë re, pavarësinë. Përpara se televizioni të arrinte të merrte rolin që ka sot, kultura komunikuese në Shqipëri ka qenë e tipit partiako-politik dhe jeta e partive ishte e organizuar në atë mënyrë, që debatet dhe vendimet të merreshin brendapërbrenda strukturave drejtuese. Zhvillimi i sistemit mediatik dhe teknologjisë bëri që kjo perspektivë të ndryshojë paksa. Partitë nisën të kthehen në institucione simbolike, ku nuk merren dhe nuk diskutohen më vendime, të cilat sektorët përgjegjës i delegojnë në media: këtu konstatohet, këtu realizohet, këtu kritikohet, këtu premtohet. Me se lidhet kjo? Nga njëra anë kemi identifikimin e liderit me partinë politike si shembull tipik për të gjithë partitizmin shqiptar; nga ana tjetër, politika i është larguar partisë, njësoj sikurse vendimet nuk merren më në Parlament. (Për ilustrim kujtojmë dy raste vitin e kaluar: shkarkimin e A.Biberaj dhe Y.Pangos dhe publikimin e këtij verdikti në media përpara se atyre t’u kërkohej një shpjegim paraprak.) Sidoqoftë të mendosh se gazetaria politike shqiptare është shkëputur nga ndikimi i fortë partiak do të ishte një naivitet. Shembulli më i mirë për këtë është institucioni i RTVSH, mbi të cilin ushtrohet një kontroll i dyfishtë: kontrolli de jure nga KKRT dhe ai de facto nga partitë që imponojnë anëtarët e këshillit dhe mbi të gjitha nga qeveritë që ndërrohen në pushtet. Për sa kohë anëtarët e KKRT do të vazhdojnë të zgjidhen nga politika, autonomia e televizionit publik do të mbetet problematike. Me gjithë modernizimin e komunikimit politik, ulja e kontrollit politik nuk ndodhi. Dhe nëse marrim si model krahasimi arsyetimin e studiuesit Marletti për rastin e Italisë, mund të themi se njësoj edhe në Shqipëri, modernizimi në vend të rriste pavarësinë e medias, rriti anësinë e saj, “duke kombinuar logjikën komerciale të zbavitjes me logjikën e supermacisë partiake.”5  Po gazetari politik? Kush është fizionomia e tij? E gjejmë në një mori rolesh: si redaktor, korrespondent politik, si analist të përhershëm apo sporadik politik; është mbijetues i mirë, synon të futet në elitën e komentariatit; analizon dhe vlerëson deklaratat e aktorëve politikë për të dhënë një mendim më të specializuar, si dhe bashkëpunon me këta aktorë duke i ndihmuar ata të përgatitin përmbajtjen e duhur politike për komunikim publik. Gazetari politik ose analisti ftohet në emisione televizive, në debate dhe konferenca shkencore, drejton emisione, është personazh i njohur si nga publiku dhe nga politikanët. Gazetari politik punon veç në poste drejtuese, ajo që Habermas e quan “çmimin e lirisë së fjalës”, fituar nga media me anë të kontributeve të rëndësishme nga shtypi i orientuar politikisht. Si përfundim, gazetari politik në një rrafsh më të gjerë teoriko-sistematik është pasqyra e dy sistemeve: gazetarisë dhe politikës. Pavarësisht se studimet shkencore të mirëfillta në këtë fushë janë të pakta, gazetarit politik mund t’i veshësh një status aktorial politik dhe ndikues. Analiza empirike e komenteve dhe emisioneve politikePër të interpretuar drejt rezultatet e analizës empirike me zhanret e përzgjedhura gazetareske, qysh në fillim vihesh përpara një pikëpyetjeje që lidhet me kategorizimin e medias: Kujt lloji i përket media shqiptare?  Kur flasim për sistemin mediatik kemi parasysh së paku dy modele: a) Media popullore, e cila ka për audiencë masat, kurse për përmbajtje: sensacionin, gazetarinë tabloide dhe atë rozë; si dhe b) Media cilësore, që ka për audiencë elitat shoqërore, politike dhe ekonomike, kurse si përmbajtje: informacione që konsistojnë në procesin e Policy-making, në analiza dhe debate.Për të përcaktuar saktë ndarjen e medias në Shqipëri do të duhej një studim më vete, por nga analizat e pakta dhe të pjesshme që ekzistojnë mund të thuhet se media shqiptare është një miks i medias cilësore dhe asaj popullore, duke anuar më shumë drejt kësaj të fundit. Titujt e mëdhenj abuzues politikë apo të kronikës së zezë, si dhe fotot e stërmëdha në faqet e para janë tipare dalluese të një gazetarie bulevardeske. Ndaj nevoja për një kategorizim të drejtë të modeleve të shtypit është imediate. Rezultatet e detajuara të analizës së bërë mund të lexohen të plota në librin ku do të përmblidhen punimet e kësaj konference. Përfundimet e kësaj analize janë si më poshtë:Analiza empirike e komenteve dhe emisioneve vërteton se gazetaria politike shqiptare është tashmë një aktor politik i rëndësishëm, konkurrues me partitë politike, dhe si i tillë ai mbart me vete të gjitha karakteristikat dhe problematikën e tyre. Nga analiza e komenteve dhe emisioneve televizive mund të dilet në këto përfundime kryesore:Në periudhën gjashtë mujore, nga 1 korriku deri në 15 dhjetor 2009, politika ose për të qenë më të saktë e ardhmja e opozitës, ka mbizotëruar në 72% të komenteve dhe 65% të emisioneve televizive. Tema të tjera sociale dhe ekonomike janë përfaqësuar shumë më pak ose aspak, duke treguar një politizim të skajshëm të komunikimit publik.Analiza nxjerr në pah një orientim të gazetarisë politike kah personalizimi i politikës, i cili shmang vëmendjen nga politika e vërtetë, madje e depolitizon atë, ndërsa substanca e vërtetë e politikës dhe e procesit politik nuk transmetohet. Ky orientim duket më i qartë në debatet televizive, ku të ftuar janë liderët e PD dhe PS, por edhe në ato raste, ku përmbajtja e munguar politike zëvendësohet me personalizimin e politikanëve.  Gazetarët politikë tentojnë haptazi përherë e më tepër se po i shmangen ekuilibrit profesional, duke marrë një krah të caktuar politik, majtas apo djathtas. Një tendencë djathtas mund të vërehet tek emisioni “Opinion”, një anim majtas te “Top Story” dhe një pozicionim në qendër te emisioni “Ora e debatit”. Kjo anësi del në pah jo aq nga teknika e pyetjeve të përdorura sesa nga tematika që përzgjidhet dhe nga shpeshtësia kur ftohen politikanë të caktuar, të cilët pavarësisht pyetjeve në dukje kritike shpalosin të lirë kredon e tyre politike.Në këtë kuptim, media nuk mund të shihet më thjesht si një “skenë” pasive, ku ndodhin proceset komunikuese politike, por ajo ndikon në publik me anë të seleksionimit dhe prezantimit të tyre. Seleksionimi bëhet nga analistët që ftohen gati në të gjitha debatet, duke mos lënë vend për mendime të ndryshme, duke e zbehur debatin dhe komunikimin politik në përgjithësi. Këtu mund të thuhet se secili nga emisionet e përzgjedhura ka analistët e tij politikë, të cilët i fton vazhdimisht, vetëm ose përballë një politikani dhe problematike të caktuar.E njëjta tendencë për homogjenizim të mendimit politik vërehet edhe te politikanët e ftuar: politika është e përqendruar vetëm në disa fytyra. Për shpërndarjen e politikanëve sipas emisioneve mund të thuhet se: “Opinion” fton më shpesh përfaqësues të qeverisë dhe PD (Berisha, Topi, Basha, Olldashi), nga PS ose opozita aksesin më të dukshëm brenda gjashtë muajve e ka pasur krahu kritik i PS, Blushi, Malaj, Gjinushi, Nano. “Top Story” ka zgjedhur kryesisht formatin analistët përballë politikanëve, këta të fundit kryesisht nga strukturat drejtuese të PS. “Ora e Debatit”, njësoj si dy formatet e tjera, ka analistët e saj të përhershëm që në dallim nga dy emisionet e tjera janë kryesisht gazetarë politikë aktivë në shtyp dhe televizion. Ndarja e politikanëve të ftuar nga të dyja krahët këtu ka qenë gati e barabartë, me një tendencë shumë të lehtë kah qeveria. Në përgjithësi, mund të thuhet se: Informimi bazohet te konfliktualiteti; te dhuna verbale, kur mungon dhuna fizike. Tendenca e përgjithshme është: Kush dhunon verbalisht tjetrin, është tërheqës dhe shpërblehet duke u ftuar sërish në emision.Krijimi i një elite mediatike (komentariati) të ngurtë, ku të njëjtët njerëz komentojnë edhe analizojnë ngjarjet politike, mund të krijojë një dominancë, e cila në sistemet demokratike, për më tepër në demokracitë e reja, kthehet në problem kur përforcon elitat e vjetra dhe grupet e interesit.Shterpësia e debatit politik dhe kalimi nga çështja politike te figura personale e politikanit mbetet problemi më akut që tregon qartazi bulevardizimin e politikës dhe krizën e mendimit politik. Justifikimi që japin moderatorët se “publikut i duhet çdo informacion në lidhje me figurën e një politikani” është tendencioz dhe i pa thelluar, në rastin më të mirë hedh dritën mbi cilësinë e dobët të gazetarisë politike, e cila për të përdorur një shprehje të dy studiuesve në fushën e komunikimit Altmeppen dhe Löffelholz: “[gazetaria politike] u krijua si rimorkio e politikanit. Qysh në mbrujtje të saj, kjo lloj gazetarie ishte jo vetëm një strukturë e varur, por madje një rezultante e nevojës për të përçuar interesa të caktuara politike.” 6  Dhe si përfundim, sa më shumë aktorë që nuk i përkasin fushës së politikës të ftohen të flasin për çështje të mirëfillta politike dhe sa më shumë politikanë të ftohen të flasin për tema që nuk janë objekt i politikës, aq më e politizuar do të jetë hapësira publike.7

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›