“Dialog ose fuqinë e merr populli”
Aristir LumeziPS është e gatshme për dialog, ndërsa kryeministri nuk ka vullnet politik. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha dje në një intervistë për “Top Channel” se opozita është e gatshme të ulet në një tryezë dhe të dialogojë për zgjidhjen e krizës, por ka hedhur dyshime mbi vullnetin e kryeministrit Berisha. “Unë jam shprehur qartë, pa asnjë ekuivok, se jam i gatshëm të ulem në këtë tryezë për të hapur një dialog që do të zgjidhë krizën politike”. “Kërkesa jonë nuk ka të bëjë as me gjykatën, as me vendimin e gjykatës të cilit i referohet Berisha, por me të drejtën e Parlamentit për të hetuar çdo çështje të një rëndësie të veçantë. Kjo është çështja e ndershmërisë së zgjedhjeve dhe ka një rëndësi të veçantë, të cilën Parlamenti mund ta hetojë jo për të përmbysur pushtetin në tavolinë. T’i lemë spekulimet, të ulemi për të zgjidhur krizën, të hapim kutitë dhe të largohemi nga ajo pjesë që po na mban të lidhur me këtë situatë. Duhet një proces i ndershëm zgjedhor ku populli voton, populli numëron, populli gjykon si është administruar ky proces”, ka nënvizuar Rama. Sipas tij, “në mënyrë që këto detyrime të zbatohen në funksion të interesit të Shqipërisë është e domosdoshme të çmontohet mekanizmi keqbërës i zgjedhjeve në Shqipëri dhe t’i hapet rrugë një procesi demokratik që zhvillohet në Parlament, por duke marrë parasysh faktin se Parlamenti vlen si vendi i përfaqësuesve të popullit, për aq kohë sa vota nuk e ka humbur fuqinë e saj. Nëse kjo fuqi humbet, i takon popullit të marrë fuqinë në dorë”. Kryetari socialist ka komentuar dhe veprimin e fundit të deputetëve socialistë në oponencë me të, lidhur me bojkotin e parlamentit, të grupuar në Lëvizjen për Mendimin Ndryshe. “Nuk besoj se ka sot ndonjë qytetar të këtij vendi, aq më pak ndonjë qytetar opozitar, që të ketë nevojë për shpjegime në këtë pikë. Rruga e tyre nuk përputhet gjëkundi me rrugën e PS, dhe për fat të keq konvergon plotësisht me rrugën e Sali Berishës dhe të këtij pushteti që ka grabitur dhe vazhdon të grabisë zgjedhjet në Shqipëri”, ka shtuar Rama.TryezaSot paradite kryetarët e partive opozitare, të majta dhe të djathta do të mblidhen në një takim për të përcaktuar strategjinë e tyre për qëndrimin ndaj maxhorancës. Pas zhvillimeve të fundit, duket se brenda opozitës janë ravijëzuar dy qëndrime. Një qëndrim radikal, është ai i vazhdimit të protestave deri në plotësimin e kushteve që maxhoranca duhet t’i plotësojë opozitës, siç është dhe hapja e kutive të votimit. Ky qëndrim u shpreh dhe dje nga kreu i G99, Erion Veliaj, i cili tha se “opozita duhet të ketë një plan B, nëse s’ka negociata, atë të protestave për të kërkuar largimin e Berishës. Nëse herën e parë ishte një demonstrim force për të treguar zemëratën, herën tjetër protesta do të jetë për vendosmërinë tonë për të larguar Berishën. Por brenda koalicionit opozitar, ka dhe qëndrime që shprehen se protestat duhen lënë në një plan të dytë, për shkak të nisjes së një procesi negocimi me ndërhyrjen e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila miratoi dhe një rezolutë për situatën në Shqipëri. Fakti që KiE i ka kërkuar Komitetit Presidencial të saj të shkojë sa më shpejt të jetë e mundur në Shqipëri, për të mbështetur Presidentin Topi në një negociim të dialogut mes palëve për zgjidhjen e krizës, i bën një pjesë të opozitarëve të tërhiqen nga rruga e protestave deri në sqarimin e situatës dhe qartësimin e qëndrimit të maxhorancës ndaj kësaj situate. Pritet që diskutimi në tryezën e sotme të zhvillohet mes këtyre dy qëndrimeve. Janë këto qëndrime të cilat kanë ndikuar që në tryezën e sotme të mos ketë një axhendë të plotë opozitare rreth protestave të paralajmëruara që në fund të 2009. Kjo axhendë u prit të miratohej që në ditët e para të janarit, kur Rama mblodhi për herë të parë tryezën e partive opozitare, e cila, për shkak të përmbytjeve në zonën e Shkodrës dhe Lezhës, i la protestat opozitare në një moment të dytë.