Policia: Pas flirtit mbrojtëm gruan
DEVOLL/ GEZIM ASHIMIPas muajit nëntor të vitit të kaluar, kur Besim Karaj kapi në flagrancë Taulant Mullirin me gruan e tij, kjo e fundit është marrë në mbrojtje nga policia. E trembur pasi burri i saj mund të hakmerrej dhe madje edhe ta vriste, Tina Karaj është detyruar të kërkojë ndihmë tek policia lokale fillimisht. Ndërkaq, kishte filluar në gjykatë edhe procesi për divorc, i cili u la në mes pasi çifti vendosi të pajtohej. Kur ajo u rikthye në shtëpinë e saj me burrin, Besimin, gjendja në dukje ka qenë e qetësuar dhe policia nuk e ka vazhduar më mbrojtjen e saj. Këtë fakt e bënë të ditur dje burime nga policia e Devollit. “Me vendim të Gjykatës, është marrë në mbrojtje Tina, gruaja e Besim Karajt, për shkak se ajo ndihej e kërcënuar prej të shoqit të cilin ajo e tradhtoi. Policia ka qëndruar tre ditë në ruajtje të jetës dhe sigurisë së kësaj gruaje, por divorci i çiftit që arriti deri në gjykatë, mori një rrjedhë ndryshe. Besim Karaj dhe gruaja e tij lanë në mes procesin gjyqësor të divorcit dhe vendosën të bashkohen”, bënë të ditur burime të policisë, të cilët reaguan kështu dhe pas akuzave të babait të viktimave për mosveprim të uniformave blu. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se procesi gjyqësor i divorcit u ndërpre pas një “marrëveshje” verbale midis Besim Karajit dhe Taulant Mullirit. Karaj duket se e ka toleruar “skandalin” që ishte përhapur në të gjithë fshatin, duke u futur më pas në pazare me personin që kishte flirtuar me gruan e tij. “Nga kjo histori që ke krijuar me time shoqe, ti jo vetëm më ke prekur nderin e familjes, por njëherazi më ke dëmtuar edhe ekonominë, pasi më mungojnë në shtëpi kursimet e mia në lekë. Dyshoj se këto para kanë dalë nga ime shoqe me qëllim për të të mbajtur ty me lekë, prandaj dua të m’i kthesh”. Kjo ka qenë kërkesa e Karajit për Taulant Mullirin. Sipas të dhënave të para, të cilat bazohen jo vetëm në dëshminë e gruas së autorit të krimit, por edhe të personave të tjerë të afërm me ta, Besim Karaj i ka kërkuar një shumë prej 8 milion lekë të vjetra Mullirit. Viktima i ka dhënë atij fillimisht një shumë të parë prej afro 3 mijë euro. Besim Karaj ia ka kërkuar atij paratë me ngulm duke justifikuar shpenzimet që ai kishte përballuar për procesin e divorcit, por edhe abortimin e fëmijës së jashtëligjshëm, për të cilin Karaj dyshonte se atësia i përkiste 23-vjeçarit. Vrasja e trefishtë që ndodhi të premten e kaluar dyshohet se ka ardhur si rrjedhojë e këtij pazari të heshtur dhe vonesës së Taulant Mullirit në shlyerjen e kësaj shume. Sipas policisë që po rindërton skemën dhe rrethanat e krimit të rëndë, tre vëllezërit kanë shkuar në mënyrë të qëllimshme në lagjen tjetër të fshatit ku banonte Besim Karaj. Ata kanë demonstruar forcën ndaj tij, por 45-vjeçari është tërhequr duke shkuar në banesën e tij ku ka marrë edhe armën automatike. Dëshmitarë të ngjarjes kanë pohuar për grupin e hetimit se Karaj nuk ka dashur të vrasë më të voglin e vëllezërve, por ngaqë ky i fundit ndërhyri dhe iu lut të mos qëllonte mbi Taulantin, nuk i kurseu as atij plumbat. Për rreth dy orë, trupat e tyre kanë qëndruar të mbuluar në gjak pa iu dhënë asnjë ndihmë. Besim Karaj kërcënonte se do të vriste këdo që do të afrohej pranë tyre për t’iu dhënë ndihmë. Protestë pas varrimit të Edlevanit: Policia të kapë autorin e krimitDEVOLL - Tre ditë pas krimit të rëndë të ndodhur në Vidohovë të Devollit, të afërm të viktimave, por edhe banorë të fshatit protestuan dje duke bllokuar për rreth një orë aksin nacional Korçë- Kapshticë. Të indinjuar për faktin se autori vijon të jetë i lirë, ata kërcënuan se do të protestojnë derisa policia ta ketë kapur atë. “Po nuk u kap vrasësi do detyrohemi të nxjerrim arkivolet nga varret dhe do t’i vendosim në rrugë derisa policia ta arrestojë. Janë tallur me ne, por nuk mund të lejojmë që kjo të vazhdojë edhe tani që na u vranë tre djemtë tanë”, u shprehën të afërm të viktimave dhe protestuesit. Drejtues të policisë që negociuan për zhbllokimin e rrugës u premtuan protestuesve se do të bëhej gjithçka për kapjen e Besim Karajit. Ky reagim erdhi pas varrimit të djalit të tretë dhe më të voglit të familjes Mulliri. Një ditë më parë, iu dha lamtumira e fundit Xhiljan dhe Taulant Mullirit, ndërsa dje u varros edhe 18-vjeçari Edlevan Mulliri. Pas ceremonisë së dhimbshme, familjarë të viktimave, të afërm të tyre e mjaft banorë të Vidohovës kanë zbritur nga fshati i tyre duke qëndruar në një vend të rrugës nacionale Korçë-Kapshticë, pranë qytetit të Bilishtit. Protesta nisi rreth orës 14:30 kur në afërsi të një pike karburanti u bllokua tërësisht aksi nacional. Fatmirësisht në këtë orar nuk ka pasur shumë lëvizje të mjeteve. Për gati një orë, turma e personave të pezmatuar nga varrimi i tre vëllezërve Mulliri, mbajti të bllokuar rrugën duke mos lejuar të kalojë në të dy anët e saj asnjë automjet. “Policia të gjejë vendndodhjen e autorit të vrasjes së trefishtë”, ishte motoja e kësaj proteste. Sipas të pranishmëve, policia duhet të punojë intensivisht pasi kjo ngjarje kishte lënë të tmerruar gjithë fshatin Vidohovë. Tashmë familjarët e tre të vrarëve, ngushëllim të vetëm kanë arrestimin e Besim Karajit, i cili dyshohet të ketë kaluar kufirin grek dhe strehohet në ndonjë stan apo shtëpi të braktisur të fshatrave afër kufirit. Nisur edhe nga dhimbja e rëndë që ka filluar të përjetohet gjithnjë e më shumë me humbjen e të gjithë pasardhësve të familjes Mulliri, policia e Devollit ka toleruar zhvillimin për gati një orë të protestës, duke dëgjuar kërkesat dhe pretendimet e njerëzve të afërm të tyre. Besim Karaj ekzekutoi me armë zjarri tre vëllezërit Mulliri të premten e kaluar pas konflikteve të vazhdueshme për shkak të një lidhje jashtëmartesore që kishte gruaja e autorit me një nga viktimat. g.a