E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meidani: Rama të mos çajë PS, të fusë deputetët në Kuvend

 Aristir LumeziIsh presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, gjatë një interviste në emisionin “Antinomi” me gazetarin Mentor Nazarko në TV Koha, tha se ka ngelur i zhgënjyer nga Edi Rama për qëndrimin e tij para zgjedhjeve, në lidhje me LSI-në. Sipas tij, Rama duhet të kishte bashkuar në një koalicion të gjithë të majtët. Duke u shprehur kundër bojkotit të Parlamentit, Meidani tha se nëse do të ishte në krye të PS-së do kishte shmangur shkëputje të deputetëve nga grupi socialist dhe do t’i kishte futur të gjithë deputetët në Kuvend. Duke folur për rolin e Presidentit të Republikës, Meidani u shpreh se ka një zbehje të rolit të tij edhe për shkak të ndryshimeve kushtetuese.Si e shikoni rolin e Presidentit të Republikës në kë situatë?Unë mendoj se ka probleme sa i takon funksionimit të institucionit të Presidentit dhe fuqizimit të autoritetit të tij. Kush i ka krijuar këto probleme?Kjo padyshim lidhet me gjithë lojën politike të Presidentit, me aktivitetin e tij dhe me zërin e tij që duhet të jetë sa më publik dhe i drejtpërdrejtë. Nga kontakti që kam dhe me qytetarët, perceptohet një lloj zbehje e rolit të Presidentit, që dhe në përputhje me Kushtetutën aktuale është një rol shumë i fuqishëm. Mos harrojmë se ky është Presidenti i Republikës, i zgjedhur me 84 vota. Mendoni se si do të jetë roli i Presidentit i zgjedhur me 70 plus 1 votë. Ku shihet sipas jush zbehja e rolit të Presidentit?Për mua një zbehje e tillë u duk në propozimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ndër të cilët edhe njerëz të shquar në jurisprudencën shqiptare dhe me kontribut në gjykatat evropiane, si ajo e Strasburgut, u rrëzuan nga një shumicë e thjeshtë në Kuvendin e Shqipërisë. Zëri i Presidentit në atë kohë duhet të ishte shumë i fuqishëm, alarmant dhe të vinte në lëvizje jo vetëm hallkat e ndryshme të shoqërisë shqiptare, mediat por dhe faktorin ndërkombëtar. Pasi sipas meje, ai votim ishte i qëllimshëm për të dobësuar dhe asfiksuar rolin e Presidentit.Në këtë zbehje të rolit të Presidentit ka një përgjegjësi dhe PS, e cila dha konsensusin e ndryshimeve kushtetuese..?Kjo nuk diskutohet dhe ashtu si Presidenti Moisiu edhe unë i kemi kundërshtuar këto ndryshime dhe kemi firmosur për zhvillimin e një procesi referendar për ndryshimet kushtetuese. Ai ka qenë një nga gabimet e rënda jo vetëm të lidershipit të PS, por dhe të shumë deputetëve socialistë që dhanë kontributin e madh për hartimin dhe ndryshimin e shumë neneve të kësaj kushtetute. Ju keni komunikuar në atë kohë me Ramën dhe ia keni bërë të qartë këtë rrezik?  Plotësisht.Cilat ishin komentet e tij?Janë të njëjtat komente që lidheshin më shumë me interesat e tij për ligjin elektoral. Zoti Rama shprehet se ishin dëshirë e tij ndryshimet kushtetuese dhe jo imponim për të kaluar ligjin elektoral sipas sistemit spanjoll.Ky është një qëndrim i juaji për ndonjë fyerje ndaj kryetarit socialist, pse nuk ju përfshiu në listat zgjedhore të PS-së? As nuk është shtuar dhe as dëshiruar ndonjë gjë e tillë nga unë. Ka qenë dëshira ime për të dhënë një kontribut maksimal për fushatën e tij. Kam ngelur i zhgënjyer në ato kontakte që kam pasur me të sepse nuk arriti të kuptojë se në këto zgjedhje ai duhet të ishte në një koalicion dhe bashkëpunim me të gjitha forcat politike, edhe me LSI. Të arrinte të bashkonte të gjitha forcat politike të majta, pasi bindja dhe aritmetika e këtij ligji elektoral kërkonte një bashkim mes PS dhe LSI-së.Ju jeni një politikan me përvojë, keni ndonjë këshillë për Lëvizjen për Mendimin Ndryshe, sepse edhe ata janë të rinj dhe do t’u duhet ndonjë sugjerim?Nëse PS merr vendim të shpejtë për të hyrë në Parlament, ata duhet të jenë bashkë të gjithë në grupin parlamentar dhe ajo do të jetë forcë e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. Pra këshilla që kam dhënë para pak kohësh është që të shkojnë bashkë të gjithë në Kuvend, të marrin të drejtën të luftojnë si një forcë opozitare në Kuvend. Kam theksuar se po të isha unë kryetar i PS dhe do të shikoja se 3-4-5 deputetë mund të largoheshin nga grupi dhe do të dëshironin të hynin në Parlament, duke krijuar mundësinë e një çarje në PS, unë do të vendosja hyrjen e të gjithë grupit në Parlament. Si e shikoni idenë e hyrjes sa për të fituar mandatin e deputetit dhe daljes për të vazhduar bojkotin, si ju duket?Natyrisht që këto nuk më pëlqejnë, ashtu siç nuk më pëlqejnë dhe presione apo trysni për pazare kushtetuese apo institucione kushtetuese. Nuk e di sa është e vërtetë. Kjo është ngritur në media, por për mua është një ide krejtësisht e gabuar, është një ide që natyrisht u përdor në 1997 me takimin e famshëm të Sant Egidios, u provua tek institucioni i KLSH dhe në disa institucione të tjera, por ato ishin para miratimit të Kushtetutës së Shqipërisë. është tjetër gjë që në një dinamikë normale parlamentare, forcat politike të arrijnë të konkludojnë në emra të përshtatshëm për këto institucione. Unë do të jepja një sugjerim që lidhet me Gjykatën Kushtetuese. Në këtë gjykatë do të lirohen gjashtë vende dhe për këtë duhet të gjenden specialistët më të mirë, që t’i shërbejnë këtij institucioni dhe forcat politike duhet të diskutojnë dhe vendosin për të pasur një përfaqësim sa më dinjitoz në këtë gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›