E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anastasi: Djegia e mandateve të opozitës është në dorë të PD-së

 Zëvendësimi i mandateve të opozitës pas 7 marsit është në dorën e maxhorancës në Parlament. Kështu shprehet juristja e njohur Aurela Anastasi, gjatë një interviste për BBC-në. Sipas saj, Kushtetuta përcakton qartë afatin prej gjashtë muajsh brenda të cilit deputetët duhet të bëjnë betimin. “Unë mendoj se pavarësisht nga fakti se është bërë ose jo betimi, ky afat është taksativ, i përcaktuar qartë në Kushtetutë dhe duhet përcaktuar nga forcat politike. Prandaj nga mbushja e 6 muajve, kohë e llogaritur nga mbledhja e parë e Kuvendit, kur deputeti i opozitës mund ta kishte bërë betimin, mandati i deputetit mbaron pas 6 muajve, për sa kohë që Kuvendi nuk e konsideron këtë mungesë si një mungesë me arsye”, shprehet Anastasi. Në të njëjtën kohë, ekspertja e Kushtetutës vlerëson se arsyet e mungesës së opozitës në Parlament, janë të rëndësishme për funksionimin e demokracisë, por kjo nuk mund t’i pengojë deputetët e saj të shkojnë në Kuvend. “Lidhur me këtë, unë do të thosha që arsyet e mos shkuarjes në Kuvend i gjykon Kuvendi, dhe Kuvendi në këtë rast përbëhet nga deputetët e maxhorancës, për rrjedhojë janë ata që do të marrin një vendim nëse ka shkaqe të arsyeshme për mos vajtjen e deputetëve të opozitës në Kuvend, apo nuk ka shkaqe të arsyeshme”, tha Anastasi. Juristja i referohet nenit 71 pika 2 e ligjit themeltar mbi djegien e mandatit nëse nuk bëhet betimi. “Përderisa ata deri tani nuk i kanë pranuar kërkesat e deputetëve të PS-së dhe nuk i kanë konsideruar këto shkaqe të arsyeshme për të mos vajtur në Kuvend, atëherë ne nuk mund të shtrojmë faktin që e drejta e deputetit për të mos shkuar në Kuvend është e pambarimtë, pa asnjë lloj afati. Kështu që mendimi im është që në këtë rast duhet ta interpretojmë kushtetutën bazuar në nenin 71, pika 2/d ku theksohet se “mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm sipas rastit, kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend”, theksoi Aurela Anastasi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›