“Dialog për integrimin, politika e bllokimit e PS-së sjell efekte negative në ekonomi”
Lëvizja Socialiste për Integrim ripërsërit apelin për bashkëpunim mes forcave politike
Lëvizja Socialiste për Integrim ka ripërsëritur apelin për bashkëpunim mes forcave politike në përmbushje të axhendës evropiane.
Në një deklaratë për mediat, Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun, Ardit Çela garantoi se LSI-ja si forcë politike do të vijojë punën e saj për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për mirëqenien e çdo shqiptari, për avancim të reformave duke vënë para çdo gjejë interesin e qytetarëve dhe kombit.
“Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon të kërkojë në mënyrë të përsëritur nga politika shqiptare, ngritjen e nivelit të përgjegjshmërisë, dhe orientimin e veprimtarisë së saj drejt dialogut politik, komunikimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit. Retorika politike duhet të konkretizohet e të materializohet me veprime konkrete, për të përmbushur dhe për të arritur të gjitha ato standarde të domosdoshme për të krijuar besueshmërinë e nevojshme për të marrë statusin e vendit kandidat. Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë politikën e saj konstruktive, do të vazhdojë të investojë energji pozitive, larg konfliktualitetit i cili nuk i shërben vendit, nuk i shërben qytetarëve”, u shpreh ai.
Sipas tij, situata financiare në rajon, në eurozonë, e detyron politikën të jetë e përgjegjshme dhe të kuptojë se bllokimi i reformave ndikon negativisht në ekonominë e vendit.
“Në të njëjtën kohë, situata financiare në rajon, eurozonë apo më gjerë e detyron politikën shqiptare të jetë e përgjegjshme e të kuptojë njëherë e mirë se vonesa e reformave integruese, mos avancimi i tyre ndikon drejtpërdrejt në ekonominë e vendit.
Një klimë pozitive politike, një klimë besimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë, me axhendë të përcaktuar qartë drejt prioriteteve europiane, do të ndikonte drejtpërdrejt, pozitivisht në ekonominë e vendit, në rritjen e investimeve të huaja, rritjen e punësimit, rritjen e ekonomisë në familjen e çdo qytetari shqiptar. Lëvizja Socialiste për Integrim është dhe do të jetë gjithnjë dhe do të punojë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik si dhe për rritjen e mirë qenies së çdo familje e qytetari shqiptar. LSI nuk do të rresht asnjëherë, por do të punojë pa u lodhur për avancimin e reformave, duke vendosur gjithnjë, përpara çdo gjëje tjetër, interesin e qytetarëve, interesin e vendit, interesin e kombit”, tha më tej Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Ardit Çela.