Reforma parlamentare s’është kusht - konsensusi politik, në krye të plan-veprimit

Statusi kandidat - flet ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu
Mos ndryshimi i rregullores së Parlamentit për mazhorancën nuk cenon rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Ministrja e Integrimit, Majlinda u shpreh dje se funksionimi i duhur i Kuvendit nuk ka të bëjë me rregulloren e Parlamentit. Sipas saj, prioritetet në planin e veprimit janë prezenca e opozitës në Kuvend dhe votimi i ligjeve. Deri tani, komisioni i Reformës ka zhvilluar vetëm dy mbledhje, ndërkohë demokratët kanë shprehur qëndrim refuzues për propozimet e opozitës për ndryshimin e rregullores së Kuvendit.
“Reforma parlamentare ose me saktë prioriteti në plan veprimit është të funksionojë dhe funksionimi i duhur i Parlamentit. Në momentin që ne kemi opozitën në Parlament, që merr pjesë në komisionet parlamentare, voton në seancë plenare, besoj se kjo pjesë e detyrimit quhet si një detyrim, të paktën pjesërisht i përmbushur. Pjesa e rregullores së Parlamentit janë më tepër saktësime, përmirësime, zbukurime për ta bërë jetën parlamentare më të mirë”, u shpreh Bregu.
Referuar tryezës që u mbajt këtë javë në Ministrinë e Integrimit për 12 prioritetet, Bregu tha se deputetët e komisionit të Reformës Zgjedhore dhe asaj Parlamentare ishin prezentë vetëm për të marrë dhe dhënë konsulta dhe jo për të nxjerrë konkluzione. “Tryeza ishte konsultative për të përmirësuar dhe sjellë në një material më të bindshëm dhe me të perceptueshëm aktivitetet dhe masat e qeverisë shqiptare”, tha më tej ministrja Bregu.
Referuar reformës zgjedhore, ministrja Bregu shprehu besimin se do të përfundojë brenda afatit të caktuar, 20 prillit.