E Diel, 1 Nëntor 2026

Dialog për vizat

I propozuari për postin e Komisarit për çështje Zgjerimi në Bashkimin Europian, Stefan Fule ka deklaruar se është i përkushtuar për nisjen e një dialogu të strukturuar me Kosovën për çështjen liberalizimit të vizave me vende të BE’së.

Ky dialog do ketë perspektivë afatgjatë, sepse, sipas Fules, Kosova ka shume punë dhe shumë detyra për të përmbushur në këtë drejtim, ka raportuar RTK’ja.
Hapi më i rëndësishëm në raportet në mes të Brukselit dhe Ballkanit Perëndimor, sipas tij, është vendimi për liberalizimin e vizave me vendet e rajonit, posaçërisht me tri shtetet që nga fundi i dhjetorit e gëzojnë këtë status.

Stefan Fules, i cili vjen nga Republika Çeke, ai më së miri e di se sa e rëndësishme është mundësia e udhëtimit pa viza në vendet e Europës Perëndimore.
I nominuari për postin e Komisarit për Zgjerim, Fule mori pjesë në dëgjimin që u zhvillua në Parlamentin Europian për të marrë përkrahjen edhe të eurodeputetëve për postin e propozuar.

Ai pranoi se uniteti i Bashkimit Europian lidhur me Kosovën nuk është ideal për shkak të mungesës së konsensusit lidhur me statusin, mirëpo u shpreh pozitiv për unitetin që e ka tërë BE’ja në angazhimet ndaj Kosovës. Këtë unitet për angazhim, Fule dëshiron ta shfrytëzojë që edhe Kosova mos të ngelet jashtë kornizës së integrimeve europiane.
Stefan Fule tha se fokusimi i posaçëm gjatë mandatit të tij do jetë ndihma që do t’u jepet vendeve të Ballkanit në procesin e integrimeve.

“Të gjithë ne e dimë se Ballkani Perëndimor ka bagazh të madh historik dhe politik, andaj ne duhet t’iu ndihmojmë këtyre vendeve në procesin e reformave dhe të sigurojmë se asnjë shtet nuk do lihet prapa”, ka thënë Fule.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›