Vizita e Tadiçit zemëron Artemijen
Vizita e presidentit serb, Boris Tadiç, nuk i ka zemëruar vetëm shqiptarët, por edhe një pjesë të serbëve, konkretisht kreun e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
Peshkopi serb për Rashkë dhe Prizren, Artemije ka kritikuar të martën Tadiçin për shkak të, siç thuhet, vendimit që si burrështeti për Krishtlindje të vizitojë Manastirin e Deçanit, por që paraprakisht nuk ka kontaktuar me peshkopatën Rashkë-Prizren.
Peshkopi Artemije, në një letër të hapur drejtuar Tadiçit ka vlerësuar se në këtë mënyrë po krijon përçarje në rendin kanonik të Kishës Ortodokse Serbe.
“Sikur të më ishit drejtuar zyrtarisht dhe të kishit shprehur dëshirën për të vizituar Deçanin, me siguri që këtë nuk do t'jua mohoja. Atëherë, unë si mikpritës, atje edhe do t'ju prisja, siç e do rendi. Megjithatë, kjo është shtëpia jonë, në të cilën hyni, e mikpritësi edhe nuk e di. Bile paralajmëroni se kështu edhe në të ardhmen do të bëni”, citojnë mediat serbe letrën e peshkopit Artemije.
Ndonëse kjo letër ende nuk komentohet, por nga dy vizitat e fundit të presidentit aktual serb, Tadic, në Kosovë bie në sy se ai ka vizituar vetëm Manastirin e Deçanit, gjë që, si duket, ai me qëllim ka anashkaluar Artemijen dhe manastirin e Graçanicës. Në Graçanicë, Artemije ka qenë mikpritës i ish-kryeministrit Vojisllav Koshtunica, me të cilin ai është i afërt.