Sejdiu: Serbia do ta pranojë realitetin

Pavarësia e Kosovës po dëshmohet si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në Evropën Juglindore, ndaj kundërshtuesit e saj përfundimisht duhet të heqin dorë nga pengimi i përpjekjeve tona për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kështu është shprehur presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, në një ligjëratë të mbajtur para anëtarëve të World Affairs Council në San Francisko të SHBA-së.
Ai tha se edhe Serbia, herët a vonë, do të pajtohet me faktin se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, dhe do të heqë dorë nga veprimet që e minojnë ardhmërinë e të gjithë popujve të rajonit. Realiteti i Kosovës së pavarur, sipas tij, nuk mund të ndryshojë dhe ora nuk mund të kthehet prapa.
Presidenti tha se gjatë dy vjetëve të funksionimit si shtet, Kosova ka shënuar suksese të jashtëzakonshme si në planin kombëtar dhe atë ndërkombëtar. Sipas tij, Kosova është e vendosur të integrohet sa më parë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare, duke e ruajtur dhe duke e kultivuar me xhelozi miqësinë speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.