Policia e Kosovës arreston ministrin Bogdanoviq

(Update) Policia e Kosovës e ka arrestuar në Shtërpcë ministrin e Qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanoviq, kanë bërë të ditur për Express burime të larta nga polica.
Arrestimi i të ashtuquajturit ministër për Kosovë dhe Metohi në Qeverinë e Beogradit është bërë në një fshat të komunës së Shtërpcës, derisa ai po zhvillonte aktivitete politike, pa marrë leje paraprake nga autoritetet e Prishtinës.
Ky fakt ka qenë i mjaftueshëm për Policinë e Kosovës që ta arrestojnë ministrin serb. Bogdanoviq rreth mesditës po transportohem në drejtim të pikës kufitare të Merdarit, ku do t’u dorëzohet autoriteteve serbe.
Burimi nga Policia e Kosovës saktësoi për Express se Bogdanoviqi kishte hyrë në territorin e Kosovë para tre ditësh, në mënyrë private, pasi ai është banor i Kosovës.
Kolona e automjeteve, në të cilën ndodhej edhe Bogdanoviqi, është ndaluar rrugës për në Shtërpcë, pas vizitës që zyrtarët e Beogradit i kishin bërë fshatit Sevce.
Mediat serbe raportojnë se në rrugë kishin dalë forca të shumta të policisë, të udhëhequra nga njësitet speciale ROSU. Sipas B92, ministri Bogdanoviq ka kërkuar vendimin me shkrim të Qeverisë së Kosovës, që ia ndalonte atij vizitën. Por komandanti rajonal i policisë ka thënë se kanë vetëm urdhër verbal nga lart se ai duhet ta lëshojë Kosovën.
Pas një debati të shkurtër, Bogdanoviqi thuhet se është përcjellë nga njësitet speciale në drejtim të Merdarit, megjithëse ministri serb kishte kërkuar që të lejohet të shkojë në veri të Mitrovicës.
Bogdanoviqi citohet të ketë thënë se kjo është një masë e përkohshme e pamend, nga Qeveria e Kosovës, pasi që ai është banor i Kosovës dhe si i tillë ka të drejtë, pavarësisht, nga funksioni i tij ministror, të lëvizë nga Kosova.
"Ky është një shembull se në Kosovë nuk ka liri të lëvizjes dhe se serbët lokalë që jetojnë në Kosovë, kështu edhe mua, na mohohet e drejta themelore njerëzore e lirisë së lëvizjes", është shprehur ministri serb.