Kushtëzimet e malazezëve
Kryetari i Partisë Popullore Malazeze të Kosovës (NCPK), Lazar Radulovic i ka bërë thirrje Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanovic dhe Kryeministrit Milo Djukanovic që të mos të vendosin marrëdhënie diplomatike me Kosovën, gjithnjë derisa autoritetet e Prishtinës nuk e njohin komunitetin malazez në Kosovë.
“Jemi dëshmitarë të premtimeve të cilat Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i ka dhënë Presidentit Vujanovic në Shqipëri se malazezët me ligj do të njihen deri në zgjedhjet lokale, por nga kjo nuk pati asgjë”, ka thënë Radulovic për shtypin malazez.
Sipas tij, në institucionet e Kosovës nuk ekziston vullnet i mirë që të kthehen në shtëpitë e tyre refugjatët nga Kosova.
Radulovic ka thënë se malazezët në Kosovë gjatë janarit mund të kenë përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Kosovës. Ai pohon se ka biseduar me Liderin e Partisë Popullore Serbe, Mihajlo Shqepanovic për kalimin e tij dhe të disa anëtarëve të partisë së tij në NCPK.
Pas zgjedhjeve lokale, kjo parti shpreson të ketë përfaqësuesit e saj në Komunën e Lipjanit dhe të Deçanit.