Dialogu BE-Maqedoni, Fyle takime në Shkup

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle
SHKUP- Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle ka arritur sot në Shkup, për të shënuar fillimin e dialogut aderues me Maqedoninë, i cili, siç thuhet, do ti japë një impuls të ri reformave dhe përmbushjes së kritereve tjera në rrugën drejt integrimit të Maqedonisë në BE.
Ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav tha se një lloj i këtillë i dialogut nuk është vendosur më parë me asnjë shtet kandidat për anëtarësim në bllokun evropian.
Dialogu i nivelit të lartë do të aplikohet me Maqedoninë në mungesë të zgjidhjes së çështjes së emrit.
Zëvendëskryeministrja për çështje evropiane, Teuta Arifi, ka thënë se nisja e këtij dialogu shënon një kapitull të ri në raportet me BE-në.
Dialogu i nivelit të lartë është një mundësi e veçantë për Maqedoninë që të përparojë në proceset e reformave dhe një kapitull i ri në raportet ndërmjet vendit tonë dhe Bashkimit Evropian. Përparimi në procesin e raporteve me Bashkimin Evropian është interes strategjik i të gjithë qytetarëve në Maqedoni, ka deklaruar Arifi pas takimit me ambasadorin e BE-së.
Gjatë qëndrimit në Shkup, komisionari për zgjerim, Fyle, fillimisht do të takohet me zëvendëskryeministren Arifi, pastaj me kryeministrin Nikolla Gruevski si dhe me presidentin Gjorgje Ivanov.