Ja pse Berisha dhe Mediu qëndrojnë pas biznesit në Gërdec!
Mbledhja e qeverisë e datës 17 shkurt 2007, zbulon interesin real të Berishës dhe Mediut për biznesin që shkaktoi masakrën. Enigma e kundërshtimit të Bodes dhe Rusmalit
Kryeministri Sali Berisha dhe Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kanë mbështetur biznesin e demontimit në Gërdec, jo në parim, por si interes për një kompani të caktuar. Përpjekja e tyre e parë është bërë në mbledhjen e qeverisë së datës 17 shkurt, të cilën po e botojmë sot të plotë. Procesverbali i mbledhjes tregon se Fatmir Mediu i ka kërkuar qeverisë shqiptare të miratojë projektin direkt me emër të kompanisë SAC, e cila siç del është kompania ortake me Delijorgjin. Berisha, siç shihet nga procesverbali, ka qenë i përkushtuar që projekti të realizohej me çdo kusht. Ka qenë vetëm kundërshtimi i ashpër i Ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe Zëvendëskryeministrit Ilir Rusmali që ka shmangur miratimin në mbledhje të qeverisë të kërkesës së Fatmir Mediut që të autorizohej drejtpërdrejt kompania SAC për demontimin në Gërdec.
Pas kësaj mbledhje, ku shihet qartë se Bode dhe Rusmali nuk i kane hapur rrugë propozimit të Mediut, Berisha ka kërkuar që vendimi të ripunohet dhe të autorizohet Ministria e Mbrojtjes të bëjë tender për këtë çështje. Përfundimi është i njëjte. Pas mbledhjes së dytë të qeverisë më 14 mars 2007, Mediu merr autorizimin për të bërë tender për këtë projekt dhe ai thjesht ia jep atë të njëjtës kompani për të cilin kërkoi të investohej vetë qeveria.
Në çdo vend të botës do të mjaftonte një fakt i tillë për të kuptuar që Sali Berisha dhe Fatmir Mediu kanë qenë të kapur nga biznesmenët që qëndronin pas kësaj kompanie. Formalisht partner i tyre është Mihal Delijorgji, por siç del nga korrespodenca ata kanë kërkuar që Rrahman Selmanllari, njeriu më i afërt i djalit të kryeministrit, të ishte përfaqësues i tyre në këtë biznes. Hyrje- daljet e të birit Sali Berishës në zyrën e Mediut ato ditë, raportimet e Aldo Bumçit për komentet e tij rreth projektvendimit për Shkëlzen Berishën si dhe tabulatet telefonike të Delijorgjit me të, dëshmojnë se gjithë projekti ishte një biznes i Familjes Berisha, i cili u investua personalisht në miratimin e tij. Kundërshtimi nga ana e Ridvan Bodes dhe Ilir Rusmalit në mbledhjen e parë të qeverisë, vijnë nga dyshimet e tyre se pas biznesit ishte Fatmir Mediu. Por me sa duket periudha një mujore deri në mbledhjen e dytë u ka mjaftuar të binden se një tjetër person me çante në dorë që hynte zyrë më zyrë dhe donte të mbyllej shpejt procedura, ishte pas këtij biznesi. Quhej Shkëlzen Berisha. Dhe ata heshtin në mbledhjen e dytë. Dhe nëse duan të jenë në atë qeveri, duhet të heshtin gjatë.




