E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu Kosovë-Serbi, BE: Në delegacion gjithë partitë

Bashkimi Evropian duket se po përpiqet të bindë partitë kosovare që të bëhen pjesë e bisedimeve të reja Prishtinë-Beograd, duke iu bashkuar një mekanizimi të krijuar enkas për këtë çështje.
 

Burime të gazetës Express thonë se, përveç veriut, temë në bisedime pritet të jetë edhe përfaqësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. Gjatë këtij muaji, përfundimisht sqarohet se kush do t`i udhëheqë delegacionet e dy vendeve, Presidentët apo Kryeministrat, shkruan gazeta.
 

Prishtina dhe Beogradi pritet të përfshihen në një proces të ri bisedimesh, por paraprakisht, Bashkimi Europian dhe diplomatët perëndimorë po bëjnë përpjekje që të sigurojnë një përfshirje më të madhe të spektrit politik kosovar në këtë process, duke krijuar madje edhe një mekanizëm për këtë, të ngjashëm me Ekipin e Unitetit që ishte pjesë e procesit të bisedimeve në Vjenë.
 

Një gjë e tillë, sipas burimeve ndërkombëtare, po konsiderohet mjaft e vështirë duke parasysh qëndrimet e subjekteve politike në opozitë.
 

“Vështirë të besohet se diçka e tillë mund të ndodhë, pasi opozitarët janë shprehur haptazi kundër bisedimeve dhe nuk janë të gatshëm të marrin mbi vete peshën e një dialogu politik”, ka thënë një diplomat perëndimor i akredituar në Prishtinë për gazetën Eksspres.
Një ditë më parë zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian Catherine Ashton, Maja Kociançiç, ka deklaruar se në Bruksel po zhvillohen konsultimet e fundit për vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›