Fillimi i shtatorit, fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë

Kryeministri Kosovës, Hashim Thaçi thotë se puna për procesin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës po shkon sipas planit dhe se ai pret që deri në fillim të shtatorit të përfundojë.
Sipas Thacit, Qeveria e Kosovës është duke i kryer çdo ditë detyrimet e veta për këtë proces të rëndësishëm për marrjen e përgjegjësive të plota nga ana e institucioneve të Kosovës.
Ndërkohë përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës është e lidhur ngushtë edhe me misionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.
Zëvendës.kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, në mbledhjen e Qeverisë ka folur rreth letërkëmbimit në mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe baroneshës Ashton, në të cilën letër Kuçi ka thënë se janë diskutuar disa pika bazë që lidhen me misionet ndërkombëtare në Kosovë.
Sa i përket datës së përfundimit të mandatit të EULEX-it, Kuçi ka thënë se ka përafrime me ndërkombëtarët, por ka shtuar se institucionet e Kosovës mendojnë se kjo datë nuk është e negociueshme.
Lidhur me letërkëmbimet në mes institucioneve të vendit dhe të atyre të BE-së, Kuçi ka thënë se kjo duhet të jenë çështje bilaterale dhe jo të bëhet në mënyrë të njëanshme.