Dialogu politik me Serbinë, Kuçi: Qeveria është gati

Kosova është e gatshme edhe për dialog politik me Serbinë, ka deklaruar zëvendës.kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi. Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ai tha se ende nuk ka ndonjë nismë konkrete për takime në nivelin e lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku përmendet sidomos takimi i mundshëm midis dy Kryeministrave, por ai ka shprehur gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për normalizimin e raporteve me Serbinë.
"Kudo që përfaqësohet Kosova si shtet, ne nuk kemi turp te kemi takime me askënd. Të tjerët duhet të ndihen keq në raport me ne", ka thënë Kuçi.
"Kosova dhe Serbia duhet të përfundojnë marrëdhëniet e konfliktit me një traktat të paqes. E ky traktat nënkupton që të rregullohen raportet ndërshtetërore, nënkupton ndërtimin e marrëdhënieve për të ardhmen. Traktatet janë marrëdhënie mes dy vendeve, pra shtetet bëjnë traktate dhe jo të tjerët", ka thënë Kuçi.