Dialogu Kosovë-Serbi, Cooper sot viziton Prishtinën

Duke mos arritur që nga Brukseli të caktojë një datë të re për bisedime Kosovë-Serbi, ndërmjetësuesi i BE-së, Robert Cooper do të vizitojë sot Prishtinën, ku do të takohet me palët për t`i bindur ata që të vazhdohet sa më parë dialogu. Ditën e djeshme Cooper vizitoi Beogradin ku u takua me shefin e delegacionit serb në dialog, Borisllav Stefanoviç.
Mësohet se ky i fundit i ka propozuar ndërmjetësit evropian disa propozim në lidhje me përfaqësimin rajonal të Kosovës, që, sipas tij, duhet të jenë në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së.
Ditë më parë, ministrat e punëve të jashtme të 27 vendeve anëtare të BE-së, gjatë takimit të tyre, kanë kërkuar sa më shpejt vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe arritjen e një marrëveshjeje për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale.
Është pikërisht kjo marrëveshje, prej së cilës edhe varet raundi i ri i bisedimeve, për shkak se të dy palët vazhdojnë të mos bien dakort me njëra-tjetrën kur bëhet fjalë për përfaqësimin rajonal të Kosovës.
Serbia vazhdon të insistojë që Kosova në përfaqësimet rajonale të paraqitet vetëm nën Rezolutën 1244, ndërsa Prishtina e kundërshton një gjë të tillë.