Zhbogar në Kosovë, diplomatët: Me rëndësi dhe për dialogun

Këshilli Evropian ka konfirmuar sot emërimin e ish-ministrit të Jashtëm slloven, Samuel Zhbogar, në postin e përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë.
Ai do ta kryejë këtë funksion së bashku, njëkohësisht dhe atë të shefit të Zyrës së BE-së në Prishtinë, që është nën autoritetin e përfaqësueses për politikën e jashtme të bllokut Evropian, Kethrin Eshton.
"I gëzohem bashkëpunimit të afërt me Samuel Zhbogarin, i cili është një zgjedhje e shkëlqyer për shkak të njohurive të tij të mëdha për rajonin dhe përvojës së gjerë diplomatike", ka thënë Eshton.
Zhbogar është slloveni i parë që emërohet në një post kyç të politikës së jashtme të BE-së, që kur Sllovenia është bërë anëtare e bllokut, në 2004. Funksioni i tij i ri do të nisë më 1 shkurt.
Ardhjen e Zhbogarit në postin e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë e ka përshëndetur edhe deputeti slloven në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin, njëherësh raportues i këtij mekanizmi për Serbinë I cili është shprehur se kjo mund të kontribuojë edhe në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.