Dialogu Kosovë-Serbi, Koçijançiç:Të nisë sa më parë

Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, Maja Kociançiç, ka deklaruar se në Bruksel po zhvillohen konsultimet e fundit për vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Kocijancic ka thënë për gazetën beogradase “Blic”, se po punohet që dialogu të nisë sa më parë. Zëdhënsja e Ashton ka deklaruar se është biseduar si më Kryeministrin serb, Ivica Dacic edhe me atë kosovar Hashim Thaci, por ende nuk ka caktuar një datë për raundin e ri të dialogut.
“Puna në raportin ka nisur, por atëherë do të ketë edhe kontakte, deri në momentin e fundit do të presim të shohim të gjitha informacionet për progresin në mënyrë që raporti të prezantojë realisht gjendjen e fundit”, ka thënë Kociançiç për “Blic”.
Por zëdhënësja e Shefes për politikë të jashtme në BE ka rikujtuar se është me rëndësi që të dyja palët, edhe Beogradi edhe Prishtina, të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura me dialog 1 vjecar mes dy vendeve.
Ndërkaq nga ana tjetër edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është ka shprehur gadishmërinë t`u përgjigjet pozitivisht thirrjeve edhe të SHBA-së, edhe të BE-së, për negociata të reja me Serbinë.
Në një intervistë për mediat kosovare Thaci ka deklaruar se është i gatshëm për negociata, ndërsa mohon se do të bëjë kompromise të dëmshme për vendin.
“Në perspektivën integruese të Kosovës është e domosdoshme të ketë marrëdhënie të mira ndërmjet shtetit të Kosovës dhe të Serbisë dhe këto takime në nivele të larta mund t`i shërbejnë këtij procesi. Në këtë drejtim është një mbështetje shumë e fuqishme prej ndërkombëtarëve, prej SHBA-së dhe prej të gjitha vendeve të BE-së, të cilat e kanë qëllimin dhe vizionin e njëjtë për të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe të gjithë rajonit”, tha kreu i ekzekutivit të Kosovës.
Thaci ka theksuar se duhet të ndodhë zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel, e pastaj të vazhdohet me çështjet e mbetura.