E Diel, 1 Nëntor 2026

Ka dezertuar kryeministri i Sirisë?

Kryeministri sirian, Riad Hijab dha sot dorëheqjen nga funksionet e tij, njoftoi sot televizioni zyrtar sirian, por sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH), ai mendohet të jetë larguar nga Siria.

"Riad Hijab dha dorëheqjen nga funksioni i kryeministrit'', theksoi televizioni sirian.

"Ai është arratisur nga Siria'', deklaroi Rami Abdel Rahmane, shef i OSDH.

Në anën tjetër, mediat shtetërore në Siri raportuan se ka shpërthyer një bombë në katin e tretë të televizionit shtetëror dhe në ndërtesën e radios.

Nuk u bë menjëherë e qartë se në cilin qytet është e vendosur ndërtesa, meqë televizioni shtetëror ishte ende funksional në Damask.

Raportet thonë se forcat e regjimit sirian kanë sulmuar disa zona në veri të Aleppos, ndërsa raportohet për të shtëna me armë zjarri edhe në disa pjesë përreth këtij qyteti.

Organizatat vëzhguese për të drejtat e njeriut thanë se gjatë së dielës janë vrarë 131 njerëz në të gjithë vendin-79 prej të cilëve konsiderohet të kenë qenë civilë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›