E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakër e re në SHBA

Një ish- ushtar qëlloi për vdekje gjashtë persona dhe plagosi rëndë tre të tjerë në një tempull sikh në SHBA. Policia arriti të vrasë personin që kreu masakrën.

Burimet thonë se krimi mund të ketë pasur si motiv urrejtjen racore.

Dëshmitarët thanë se një person i gjatë, tullac, rreth të dyzetave, hapi zjarri në tempullin sikh në Wisconsin. Ngjarja ndodhi në momentin kur gratë po përgatisnin ushqimin e së dielës.

Besimtarët u arratisën duke tentuar të shpëtojnë jetët e tyre.

Një prej dëshmitarëve tha se personi që kreu krimin kishte një tatuazh të 11 shtatorit. Disa të tjerë e përshkruajnë atentatorin si një supremacist të bardhë.

Katër persona vdiqën brenda në tempull, tre të tjerët, përfshi atentatorin, vdiqën jashtë.

Atentatori madje i zuri pritë policisë dhe qëlloi ndaj një oficeri, që kishte mbërritur aty pas thirrjeve telefonike të besimtarëve.

Një oficer i dytë arriti të qëllojë atentatorin.

Mendohet se atentatori i kreu krimet me një pistoletë. Ende nuk është bërë i ditur identiteti i tij.

Komuniteti sikh është sulmuar disa herë që prej sulmeve të 11 shtatorit.

Vjet, dy të moshuar sikh u qëlluan për vdekje në Kaliforni.

Sivjet, një tempull sikh u shkatërrua, kurse një familje sikh-e mori e-maile urrejtje në Washington.

Presidenti amerikan, Barack Obama, shprehu keqardhjen e tij për krimin e rëndë. Ai tha se është “thellësisht i pikëlluar” për shkak të incidentit, i cili vjen vetëm dy javë pas një sulmi me armë zjarri në Aurora të Kolorados ku u vranë 12 persona.

“Kësaj gjëje i jemi frikësuar që nga 11 Shtatori. Ka shumë injorancë mes njerëzve. Ata na ngatërrojnë me talebanët dhe me Bin Ladenin”, thekson Rajwant Singh, presidenti i Këshillit të sikhëve të Washingtonit për Associated Press.

“Ne mbulojmë kokën dhe për këtë arsye na ngatërrojnë me myslimanët”, shton ai.

Sikhizmi është një fe që daton në shekullin e 15-të. Pasuesit e saj janë kryesisht në Indi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›