Dialogu Kosovë Serbi në prag të dështimit
Dialogu i nisur në mars midis palës kosovare dhe asaj serbe mund të dështojë, në rast se palët mbajnë qëndrimet që kanë krijuar pas situatës së re të krijuar në veri të Mitrovicës.
Përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare kanë bërë thirrje që çështja e vulave të Doganave t’i jepet zgjidhje nëpërmjet të një dialogu, por zyrtarë anonimë nga të dy qeveritë, u kanë thënë medieve se dialogu mund të stopohet.
Shkak është bërë intervenimi i institucioneve shtetërore të Kosovës për të vënë nën kontroll mbi pikat me Serbinë, 1 dhe 31, në të cilat nuk zbatohej veprimi i Qeverisë për të ndaluar mallrat që hynin me vulë të Serbisë.
Vendimi ishte marrë pasi në korrik ekipi negociator serb nuk pranoi të njohë vulat e Doganave të Kosovës, prandaj ishte vënë masa e reciprocitetit në këtë segment. Të dyja palët kanë vënë kushte për të nisur dialogun që ndërmjetësohet nga bashkimi Evropian.