Enver Zymberi dekorohet me Urdhrin “Hero i Kosovës”
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka marrë sot vendim që Enver Zymberi, polic i njësisë speciale të Policisë së Kosovës, i vrarë në krye të detyrës, të dekorohet me Urdhrin “Hero i Kosovës”, me motivacion “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
Vendimi u mor në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 84, pika 28, si dhe në bazë të Rregullores për Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës, që i jep Presidentja e Kosovës dhe Procedurat e Dhënies së tyre, nenet 3 dhe 5.
Urdhri “Hero i Kosovës” u jepet qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të huaj, të kohëve moderne, nga Lidhja e Prizrenit e këndej, që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Varrimi i policit Enver Zymberi do të bëhet me të gjitha ceremonitë dhe nderimet që janë të parapara për Heroin e Kosovës.
Presidentja Jahjaga medaljen do t’ia dorëzojë familjes Zymberi në një ceremoni të veçantë.
Heroi i kufirit
Polici i plagosur i Njësisë Speciale të Kosovës, Enver Zymberi nga fshati Dubovc i Vushtrisë, në orët e vona të së martës ka ndërruar jetë në Klinikën Intensive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Gjendja e tij shëndetësore ishte e rëndë që nga momenti kur ai u qëllua në kokë me snajper.
Ai ishte qëlluar gjatë rrugës për në pikën kufitare 31 në Bërnjak, nga serbët e revoltuar. Zymberi fillimisht ishte dërguar në spitalin e jugut në Mitrovicë, e pastaj me helikopter të KFOR-it ishte bartur në QKU.
KMDLNJ në Mitrovicë ka sqaruar se Zymberi është plagosur rreth orës 15:00, në afërsi të pikës nr. 31 në Bërnjakë, derisa pjesëtarët e Njësisë Speciale po shkonin me automjete drejt kësaj pjese të kufirit. Sipas KMDLNJ-së, ata janë sulmuar nga të dyja anët e rrugës nga bandat kriminele serbe të armatosura.
Në një konferencë për gazetarë, zyrtarë të QKU-së dhe të Policisë kanë bërë të ditur se Zymberi ka ndërruar jetë rreth orës 22. Lëndimet e shkaktuara në fytyrë nga predha që e ka goditur kanë qenë fatale për të. Kryeministri Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Zymberi.
”Sakrifica e Enverit në mbrojtje të kufijve të atdheut, të shtetit të Kosovës, do të mbetet përherë në kujtesën dhe zemrën e qytetarëve të Kosovës, duke identifikuar njëkohësisht përkushtimin e tij për mbrojtjen e lirisë dhe paqes në vendin tonë”, thuhet në telegramin e Thaçit dërguar të martën vonë në mbrëmje.
Zymberi, baba i tre fëmijëve, ishte pjesëtar i Njësisë Speciale që nga viti 2000.
Ndërkohë, mediat lokale serbe kanë njoftuar se të plagosur ka edhe nga serbët lokalë, të cilët kanë sulmuar pjesëtarët e Njësisë Speciale. Sipas këtyre mediave, në Zubin Potok dyshohet se janë plagosur tre serbë, por nuk ka informacione për gjendjen e tyre shëndetësore.