E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martesat për t'ua bërë qefin prindërve

Sezoni i pushimeve verore është kohë ideale për martesën e të rinjve shqiptarë nga Zvicra në Kosovë. Këto martesa të detyrueshme bëhen kryesisht sipas qejfit të prindërve dhe tashmë janë kthyer në një fenomen shqetësues në shtetin helvetik. Nga Express më 27 korrik 2011 në ora 11:27

Dukuria njihet si “martesa të dhunshme ose “martesa me detyrim”, ndërsa në një trajtë më të zbutur edhe si “martesa të aranzhuara”.

Këto martesa duket se përbëjnë një dukuri tipike për komunitetin shqiptar në Zvicër. Ditë më parë, këshillimorja Zwangsheirat në Zug, e cila merret me këshillimin dhe ndihmën për viktimat e martesave me detyrim, ka dalë me një apel publik, nëpërmjet të cilit me tone dramatike alarmon për rrezikun nga këto martesa. Më së shumti martesat e tilla ndodhin në prag të pushimeve verore.

Ndër regjionet dhe shtetet ku kërcënon më shumë rreziku i martesave të tilla, janë edhe Kosova, Maqedonia e Shqipëria. Madje, siç thotë për albinfo.ch Anu Sigaravinam, udhëheqëse e qendrës, aty paraqiten për t`u këshilluar një numër i konsiderueshëm shqiptarësh me prejardhje nga këto tri shtete.

“Na drejtohen edhe shqiptarë nga Gjermania ose nga Franca. Ndërsa, klientë tanë nuk janë vetëm shqiptarët nga Zvicra gjermane, por edhe ata nga Zvicra frankofone (perëndimore)”, thotë Anu. Sipas saj, afërisht çdo i katërti person që kërkon ndihmë në qendër është shqiptar.

“Nga puna jonë këshillëdhënëse mund të konstatohet se martesat me detyrim përbëjnë një problem të rëndësishëm edhe te popullata shqiptare”, thotë Anu.

Por, ajo thekson se martesat me detyrim nuk janë karakteristike vetëm për shqiptarët. “Ato ndodhin në shumë grupe etnike dhe fetare. Për shembull, edhe në grupet me religjion të krishterë ose hindus”.

Sipas Anusë, te rastet e shqiptarëve është konstatuar se ka potencial rreziku që presioni për martesë me detyrim të përshkallëzohet deri te “vrasjet e nderit”.
Por, përse apeli i Zwangsheirat vjen pikërisht në kohën e pushimeve verore? A është vera “stina e gjahut”, kur viktimave të ardhshme u lidhen këmbët në martesat e padëshiruara?

“Pushimet verore janë sezoni kryesor për martesat që lidhen jashtë vendit, të ashtuquajturat martesat e dhunshme të pushimeve”, thotë Anu.

“Para fillimit të pushimeve verore, te ne vijnë shumë njoftime të personave të prekur nga ky rrezik. Ata kanë më shumë frikë nga një martesë e detyruar gjatë pushimeve, sesa nga një martesë e detyruar që do t`i kërcënonte, fjala vjen, derisa janë në Zvicër. Kjo për faktin se në vendlindje (në pushime), ata e shohin veten në një situatë pa shtegdalje, për arsye se atje nuk kanë bashkëmendimtarë pranë vetes që do t`i mbronin”.

Sipas Anusë, është interesante se shqiptarët që këshillohen në qendër, kryesisht kërkojnë këshilltarë joshqiptarë. “Shumë shqiptarë që vijnë këtu kërkojnë të mos këshillohen nga këshilltarë shqiptarë, sepse Zvicra është vend i vogël dhe shqiptarët brenda komunitetit mund të njihen”.

Anu pranon se ka raste kur dështon puna e këshillimeve. “Ka edhe fëmijë që, për t`ua bërë qejfin prindërve të tyre, pranojnë martesën me detyrim. Edhe në rastet e tilla ka mundësi ndërhyrjeje si për shembull anulimi i martesës dhe këshillimet e mëtejme lidhur me martesën me detyrim”.

Hamit Zeqiri, ekspert i integrimit dhe kryetar i bashkësisë së qendrave për integrim të Zvicrës, thotë se numri i martesave të detyruara është shumë më i vogël se që paraqitet në opinion. “Është një dukuri më shumë margjinale, sesa tipike për shqiptarët”, thotë Zeqiri.

Sipas tij, më shumë se martesa të dhunshme ose të detyruara, ka raste të një presioni indirekt, që prindërit dhe rrethi e ushtrojnë ndaj të rinjve ose të rejave shqiptare, që të martohen me shqiptarë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›