Dialogu Kosovë-Serbia shtyhet për kohë të pacaktuar
(E plotësuar) Raundi i shtatë i dialogut mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë nuk është duke u mbajtur as sot, edhe pse ai ishte paraparë që të fillojë qysh sot në mëngjes, raporton KosovaPress.
Zyrtarët e BE-së thanë se nuk dihet as kur dhe as nëse do të mbahet fare ky takim, i cili ishte paraparë të fillonte dje midis përfaqësuesit të Serbisë Borislav Stefanoviq dhe asaj të Kosovës, Edita Tahiri.
Prishtina e Beogradi, bisedime me ndërmjetësit
Negociatorët kosovarë dhe serbë janë duke zhvilluar bisedime me lehtësuesit e dialogut në Bruksel, por nuk janë takuar ende së bashku.
Lajmi bëhet i ditur nga Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton.
“Takimi i djeshëm është shtyrë për shkak të ngjarjeve (të fundit në veri) dhe ardhjes së vonë të negociatorëve serbë. Aktualisht, ata janë në kontakt me lehtësuesin. Deri tash nuk kam lajme tjera”, tha për Radion Evropa e Lirë Maja Kocijançiq.
Raundi i radhës i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit është dashur të fillojë dje dhe të vazhdojë edhe në ditën e sotme, ku është dashur të diskutohet energjia, telekomunikacioni dhe bashkëpunimi rajonal. (REL)
Pritet fillimi i bisedimeve Kosovë-Serbi
Pas anulimit të djeshëm, raundi i shtatë i takimit në Bruksel mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë pritet të zhvillohet sot prej orës 9.30. Në këtë takim, Prishtina synon t’i kërkojë Bashkimit Evropian që të bëjë një vlerësim lidhur me zbatimin e marrëveshje të arritura më parë.
Takimi mes Prishtinës dhe Beogradit dje është anuluar pasi që pala serbe është vonuar për takim dhe nuk ka pranuar të hyj në bisedime pas ngjarjeve që ndodhën në pjesën veriore, përkatësisht në pikën kufitare në Jarinje.
Në fakt kryenegociatori i Serbisë, Borisllav Stefanoviq nuk ka qenë i gatshëm që të hyj në dialog, për shkak të dijenisë se aty nuk do të diskutohet tjetër temë përveç atyre që janë në agjendë qysh më parë.
Për këtë kanë qenë shumë të qarta edhe reagimet e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, të cilët dënuan dhunën nga ekstremistëve serbë në pjesën veriore dhe përkrahën veprimet që i ka bërë EULEX-i dhe KFOR-i. Madje zyrtarët nga Bashkimi Evropian kanë kërkuar edhe heqjen e menjëhershme të barrikadave.
Ndërkaq kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri ka paralajmëruar mbrëmë se do të kërkojë nga zyrtarët e Bashkimit Evropian që të vlerësohet me raport sesi janë duke u zbatuar marrëveshjet e këtij dialogu nga secila palë dhe ky raport të kushtëzojë integrimin evropian më pas për bllokuesit.
“Ne kemi zhvilluar takim me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së, të cilët na njoftuan se delegacioni serb është vonuar për takim, kështu kërkuan që takimi të shtyhet për nesër në mëngjes. Ne u pajtuam më këtë çështje, por theksuam se krahas agjendës që do ta kemi për katër çështjet e përcaktuara më parë, duhet të shikohet edhe çështje e zbatimit në praktikë të marrëveshjeve të arritura më parë”, ka thënë mbrëmë Tahiri.
Beogradi, kushtëzon dialogun
Borislav Stefanovic ka kushtëzuar pjesëmarrjen në dialog përderisa të mos ketë zgjidhje për dy pikat kufitare në Veri. Nëse ndahet i pakënaqur me bisedimet me Robert Cooper dhe Philip Reeker, ai do të bojkotojë takimin e sotëm. Raundi i shtatë i dialogut u shty për të mërkurën për shkak se negociatori serb arriti me vonesë në Bruksel.
Shefi i delegacionit serb, Borislav Stefanovic ka marrë instruksione të qarta nga shefi tij, presidenti Boris Tadic. Ai nuk do të marrë pjesë as në takimin e sotëm në Bruksel me delegacionin e Kosovës, nëse ndahet i zhgënjyer me bisedimet për pikat doganore me përfaqësuesin e BE’së, Robert Cooper dhe përfaqësuesin amerikan, Philip Reeker
Takimi i Stefanovic me dy diplomatët perëndimorë ka qenë i paraparë të mbahet të martën në mbrëmje.
Këtë e ka konfirmuar negociatori serb, për mediat e Beogradit.
“Bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës nuk do të mbahen të martën në Bruksel siç ishte paraparë, e, a do të mbahet të mërkurën, varet nga rrjedha e takimit trepalësh mes Borko Stefanovicit me Cooperin dhe Reekerin rreth situatës më të re në Veri të Kosovës”, ka shkruar agjencia Tanjug.
“Nga rrjedha e këtij takimi varet se a do të vazhdohen bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës”, citohet të ketë thënë Stefanovic.
“Bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës janë pezulluar dhe nuk do të vazhdojnë përderisa të mos zgjidhet situata në vendkalimet administrative në Jarinje dhe Bërnjak”, ka thënë ai.
Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri nuk e di nëse homologu i saj do të ketë mundësi të flasë për doganat kosovare në veri me ndërmjetësit perëndimorë.
“Deri në momentet sa ne kemi qenë në ndërtesën e BE’së jo. Mund të them se takimin e parë e kemi pasur sot me zotin Cooper në ora 15:30 ku kemi biseduar 1 orë. Më pas kemi pasur takim të përbashkët me Cooperin dhe Reekerin. Kështu që deri në orën 19:00 në mbrëmje, delegacioni serb nuk ka qenë në ndërtesën e BE’së”, ka thënë ajo për Express, gjatë një bisede përmes telefonit.
Por zëvendëskryeministrja Tahiri është e sigurt se kjo temë e propozuar nga Beogradi dhe që po bën përpjekje të vazhdueshme ta fusë në agjendë, nuk do të pranohet.
“Sa i takon çështjes së pikave doganore, ne edhe sot në takim me zotin Cooper gjatë diskutimit theksuam se dialogu mbetet sipas agjendës së paraparë. Pra nuk do të ketë tema politike dhe në këtë çështje jemi në linjë të njëjtë ne si palë me ndërmjetësin e BE’së. Pra siç dihet tashmë, plani për implementimin e marrëveshjes për tregti të lirë dhe pikat doganore si dhe rivendosja e kontrollit të Kosovës në kufirin verior është një plan i përbashkët dhe një veprimtari e përbashkët midis Qeverisë së Kosovës, BE’së, SHBA’ve si dhe KFOR’it e EULEX’it. Pra ky është një aktivitet i përbashkët dhe për këtë kemi mbështetje të plotë”, ka thënë ajo.
Delegacioni i Kosovës ka pasur dje takime me Cooperin dhe ndihmëssekretarin amerikan, Philip Reeker.
“U pajtuam që të mërkurën të vazhdojë dialogu me të gjitha pikat e rendit të ditës. Ne si Qeveri e Kosovës e vumë theksin tek rëndësia e implementimit të marrëveshjeve, si çelës për suksesin e dialogut. Si dhe thamë se ngecjet në zbatimin e marrëveshjeve e dekurajojnë procesin e temave të reja në bisedime”, ka thënë Tahiri.
Ajo foli për garancitë që ka marrë nga ndërmjetësi i BE’së.
“Nga Cooper morëm garancat se të mërkurën BE do të prezantojë vlerësimet e veta për problemin e ngecjeve dhe ka përgatitur vlerësimin për performancën e palëve, ashtu siç kemi kërkuar ne me letër nga zoti Cooper. Si dhe do t’u bëhet me dije palëve se çfarë janë masat që BE do t’i ndërmarrë për ta bërë implementimin realitet”.
Megjithëse deri më tash me Serbinë janë arritur pesë marrëveshje, asnjëra nga to nuk është zbatuar siç janë pajtuar palët dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë. Edita Tahiri kërkon që të ketë rezultate në këtë drejtim.
“Agjenda e së mërkurës mbetet e njëjtë, por me theks të veçantë do të diskutohet për ngecjet në implementimin e marrëveshjeve të deritashme. Sepse në qoftë se nuk do të ketë implementim efektiv dhe efikas, atëherë dialogu po e humb kuptimin”, ka thënë ajo.
Negociatorja kosovare ka kërkuar që Kosova të përfitojë në integrimin drejt BE’së për shkak të rolit konstruktiv në dialog.
“Në takimin me Robert Cooper unë kam kërkuar po ashtu që konstruktiviteti i palës së Kosovës në këtë dialog, duhet të kurorëzohet me marrjen e marrëdhënieve kontraktuale sepse edhe rezoluta e OKB’së thekson qartë se ky dialog shërben për afrimin e vendeve me BE’në. Mendoj se këtë test të konstruktivitetetit e kemi kaluar pozitivisht në raport me BE’në dhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare”, tha ajo.
Në ditën kur ishte paraparë të mbahet raundi i shtatë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, në pjesën veriore serbët lokalë sulmuan KFOR’in me gurë dhe mjete shpërthyese. Katër ushtarë të NATO’s u plagosën dhe shtatë serbë.
Për situatën në Veri, Stefanovic ka komentuar para nisjes për në Bruksel. Ai ka thënë se incidenti në Jarinje ka ndikim të keq në bisedimet midis dy delegacioneve.
“Ngjarjet në Jarinje dëshmojnë se ka fuqi të cilat nuk duan ta zgjidhin problemin me rrugë paqësore dhe të cilat janë të gatshme që për këtë të gjuajnë në njerëz të pafajshëm.
Kjo bëhet me qëllimin që Serbia të heqë dorë nga dialogu dhe kësisoj të fajësohet se nuk dëshiron zgjidhjet paqësore”, ka thënë Stefanovic.