Arvizu, takime me Nishanin dhe Berishën
Nishani: Prioritet i presidencës sime, pavarësia e sistemit gjyqësor. Berisha: Të angazhuar për zhvillime të mëtejshme pozitive në marrëdhëniet me SHBA
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksander Arvizu ka zhvilluar ditën e sotme takime me krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Rreth orës 11:00 të paradites, ambasadori Arvizu, i shoqëruar edhe nga zv/ambasadori i SHBA, është pritur në një takim nga presidenti i vendit Bujar Nishani. Ky është takimi i parë zyrtar i ambasadorit të SHBA me presidentin e ri të vendit.
Në njoftimin e publikuar nga faqja zyrtare e presidencës bëhet e ditur se, gjatë takimit u nënvizuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve dhe bashkëpunimi i gjatë dhe efiçent në të gjitha fushat. Presidenti Nishani theksoi faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë miku më i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve si dhe e falenderoi Ambasadorin amerikan për të gjithë angazhimin dhe bashkëpunimin që kanë ofruar SHBA-të në zhvillimet e gjithanshme në Shqipëri.
Nga ana e tij, ambasadori Arvizu shprehu vlerësimin për zgjedhjen e Presidentit Nishani në krye të shtetit dhe vlerësoi qasjen e Presidentit në lidhje me reformimin e sistemit të drejtësisë dhe fuqizimin e rolit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ambasadori amerikan garantoi gjithashtu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Presidentin Nishani dhe veçanërisht në përpjekjet e tij për reformimin e sistemit të drejtësisë.
Ndërkohë, Presidenti Nishani, në përgjigje të interesimit të ambasadorit Arvizu vuri në dukje se ndër prioritetet e presidencës së tij do të jenë pavarësia e sistemit gjyqësor dhe rritja e besimit të gjyqtarëve tek sistemi i drejtësisë. Kreu i Shtetit u shpreh më tej, se promovimi i gjyqtarëve do të realizohet duke u bazuar në merita, nëpërmjet një procedure të hapur dhe transparente me kritere të përcaktuara qartë.
Takimi i parë mes dy zyrtarëve të lartë, vjen vetëm pak ditë pas dekretimit të kreut të ri të SHISH, dekret ky i cili sipas burimeve pranë ambasadës së SHBA nuk është pritur mirë nga ana e tyre. Burime nga ambasada e SHBA thanë ditën e dekretimit se ishin befasuar nga shpejtësia me të cilën ishte bërë kjo lëvizje në një institucion të rëndësishëm dhe partner të SHBA-ve.
Pas takimit me Nishanin, ambasadori i SHBA-ve ka zhvilluar një takim edhe me kryeministrin e vendit, Sali Berisha, gjatë të cilit mësohet se Kryeministri Berisha ka ritheksuar angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare që marrëdhëniet shumë të mira me SHBA të çohen përpara dhe të njohin zhvillime të mëtejshme pozitive për të dyja vendet.
17 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Arvizu, takime me Nishanin dhe Berishën burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip