Dialogu Prishtinë-Beograd, pako marrëveshjesh në qershor

Dialogu Prishtinë-Beograd, mund të prodhojë një pako marrëveshjesh, konkretisht nga mesi i muajit qershor. Ndonëse dallimet politike mes të dyja vendeve mbeten shumë evidente, synimet janë që të gjendet mesi i artë, në mënyrë që asnjëra palë të mos e gjejë veten politikisht humbëse në këtë dialog.
Shefja e delegacionit të Kosovës në këto bisedime, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, deklaroi se ka një përparim të dukshëm në dialogun e filluar, duke përmendur më pas edhe një varg çështjesh për të cilat pritet të arrihen marrëveshje.
“Pritet që para pushimeve verore, të kemi një pako marrëveshjesh, që përfshijnë çështjet e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, përkatësisht njohjen e vulave të Doganave të Kosovës nga Serbia. Pastaj, do të ketë marrëveshje për çështjet e energjisë, e besoj edhe për ato të telekomunikacionit, si dhe për çështjet e regjistrave civilë, kadastralë dhe për njohjen e diplomave shkollore dhe universitare”, tha me tej Tahiri.
Edhe pala serbe, pret që marrëveshjet e para Prishtinë-Beograd të arrihen gjatë qershorit. Sekretari në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, theksoi se nëse nuk ka një marrëveshje gjatë qershorit, atëherë teknikisht është e pamundur të ketë një marrëveshje gjatë verës, për shkak të pushimeve verore.
Ndonëse i paralajmërojnë marrëveshjet gjatë qershorit, të dyja palët insistojnë që përmes këtyre marrëveshjeve nuk do të shkelin kushtetutat e vendeve të tyre.