Rexhepi:Nuk ka bisedime, nëse flitet për ndarje të Kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se nëse delegacioni serb në bisedimet Kosovë-Serbi do të insistojë që të hapë çështjen e ndarjes së Kosovës, atëherë delegacioni kosovar nuk do të vijojë bisedimet.
Në një deklaratë të mbajtur me studentët e Institutit për Studime Politike dhe Evropiane (ISPE), i pari i MPB-së, ka rikujtuar se ideja për ndarjen e Kosovës është në kuadër të politikës zyrtare të Beogradit.
“Është shumë e qartë edhe nga Prishtina dhe nga faktorët ndërkombëtarë se çështja e ndarjes as që mund të vihet në tryezën e bisedimeve. Kosova në asnjë rast nuk do të hyjë në bisedime me Beogradin për çështje të tilla...nëse në tavolinën e bisedimeve do të tentohet që të hapet kjo temë, është obligim i palës kosovare që të lëshojë tryezën e bisedimeve”, ka thënë Rexhepi.
Duke rikujtuar edhe një herë se karakteri i bisedimeve Kosovë-Serbi është teknik, ai u shpreh optimist që ky dialog do t`i shërbejë qytetarëve të të dyja shteteve për lëvizjen e lirë, por edhe shtensionimin politik dhe përmirësimin e raporteve të bashkëpunimit mes Prishtinës dhe Beogradit.