Dialogu Rama-Berisha/ Pas tre orësh, dritë në fund të tunelit

Edhe pse në pamje të parë u duk sikur nuk kishte asnjë përparim, duket dialogu mes Berishës dhe Ramës ka një lajm të mirë. Burime nga takimi thanë se ka patur debate dhe replika, por më e rëndësishme është se ky takim nuk mund të quhet i dështuar.
Ndërkohë mësohet se pritet një takim tjetër për të cilin dita do të njoftohet.
Kreu i qeverisë Berisha pas takimit theksoi se nuk mund t'i kthehet vendimit të gjykatave.
"Presidenti të vazhdojë të eksplorojë të gjitha mundësitë e konvergjencave për çështjet e bazuara në rezolutën e KiE sikundër e garantova edhe Presidentin edhe zotin Rama se jemi të gatshëm për të gjitha kompromiset e nevojshme për çështjet zgjedhore që janë bilaterale midis PS dhe PD. Unë i kërkova zotit Rama të listojë problematikën dhe ta trajtojë në gjithçka. Natyrisht unë nuk mund të trajtoj dhe nuk kërkoj të trajtohen problemet që unë kam me gjykatën sikundër nuk trajtohen problemet që zoti Rama ka me gjykatën e apelit. çdo problem që ai ka me mazhorancën jam i hapur ta trajtojmë", theksoi Berisha pas takimit.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në një konferencë për shtyp pas tryezës së dialogut në Presidencë tha se pati një ballafaqim të hapur me kryeministrin Berisha. "Nuk lëvizin nga kërkesa për transparencë të plotë të zgjedhjeve. Ashtu si iu bë e qartë Berishës, lënia e kutive jashtë hetimit parlamentar do ishte shkelje e patolerueshme e së drejtës kushtetuese", theksoi ai. Rama tha se sqaroi Berishën se PS nuk kërkon përmbysjen e rezultatit, por kërkon autopsi të zgjedhjeve të vdekura, që zgjedhjet të mos vdesin më nga mungesa e transparencës. "Unë nuk shkova në tryezë për pazar, por për të mundur së bashku korrupsionin elektoral", shtoi ai.
Ndërkaq në orën 15:30 pritet një konferencë nga Presidenca.