E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Është koha që në veri të ketë rend dhe ligj

Presidenti Fatmir Sejdiu ka deklaruar se integrimi i pjesës veriore të Kosovës në institucionet e Prishtinës nuk do të bëhet me dhunë dhe se nga ky proces do të kenë dobi edhe serbët e atjeshëm.

Në një intervistë për Evropën e Lirë, Sejdiu ka vlerësuar se strategjia për integrimin e veriut, e cila po hartohet nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra ndërkombëtare civile, është një plan i mirë dhe në interes të përgjithshëm të Kosovës.

“Është një dokument që ofron shansin e kornizimit të mirë të veprimeve apo lëvizjeve të mira, çfarë duhet të bëhen për të pasur edhe stabilitetin e vendit. Është koha që në veri të ketë rend dhe ligj, në kuptimin e sundimit të plotë, jo si diktaturë, jo si tutelë apo tutori ndaj dikujt, por esencialisht si një qasje integruese për të siguruar perspektivën e zhvillimit edhe të vet komunitetit serb, që në këtë rast që është me shumicë i përqendruar në këtë pjesë, si e drejtë e garantuar me realizim apo për realizimin e njerëzve në shtëpitë e veta”, ka thënë ai.

Presidenti Sejdiu ka përsëritur se shuarja e strukturave paralele në veri do të shkojë paralelisht me forcimin e procesit demokratik, në mënyrë që komuniteti serb të njihet me mundësinë për një jetë më të mirë.

“Institucionet e Kosovës nuk do të shkojnë me dhunë. Interesi i tyre është që të shkohet në proces gradual, por energjik, pa u ndalur, natyrisht në bashkëpunim edhe me misionin ndërkombëtar, pra sa është edhe pjesa e mandatit të tyre. Me këtë lë të kuptohet se vetë reagimet e disave që janë liderë të strukturave paralele, janë pjesë e alarmit që ata kanë ndezur për shqetësimet që kanë në humbjen e asaj pjese, do ta quaja të fuqisë negative, të energjisë negative, që e kanë zbrazur vazhdimisht edhe ndaj qytetarëve të vendit.

Sipas tij, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, duke u nisur nga argumentet e palës kosovare, nuk mund të miratojë vendimin i cili do të mbështeste qëndrimin e Serbisë se “Kosova ka shpallur njëanshëm pavarësinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›