E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhje të pastra

Kryetari i Iniciativës qytetare në Pasjan të Gjilanit, Nenad Cvetkovic, është dëshpëruar nga pohimet se në fshatin e tij ka pasur manipulime dhe vjedhje të votave në raundin e dytë zgjedhor për kryetar të Gjilanit.

Ai thotë se në Pasjan nuk ka pasur asnjë parregullsi.

“Përfaqësuesit e LDK’së dhe PDK’së kanë qenë të pranishëm prej momentit të hapjes së kutive e deri në mbyllje të kutive dhe pastaj gjatë procesit të numërimit të votave. Nuk ka ndodhur asgjë e dyshimtë. Të gjithë kanë nënshkruar procesverbalin. Ata madje kanë deklaruar se janë të befasuar për të mirë me procesin dhe pjesëmarrjen në votime”, ka thënë Cvetkovic, të premten, për Express.

Kanë kaluar dy muaj pas raundit të dytë zgjedhor për kryetar të Gjilanit, por ende nuk ka konfirmim të rezultatit nga organet kompetente. Rezultatet preliminare kanë nxjerrë fitues kandidatin e PDK’së, Qemajl Mustafa, por kundërkandidati i tij nga LDK’ja, Fatmir Rexhepi nuk ka pranuar rezultatin zgjedhor. Ai ka hedhur akuza për manipulime të mëdha dhe vjedhje të votave. Rexhepi dhe zyrtarë të tjerë të LDK’së kanë hedhur akuza për parregullsi edhe për dy fshatra të banuara me serbë, Pasjan dhe Shillovë.

“Jam prekur nga Lufti Haziri dhe Fatmir Rexhepi që dolën dhe thanë se ka pasur vjedhje në Pasjan. Kjo është e njëjtë me maltretimin që Goran Bogdanovic ju bëri qytetarëve në Pasjan pesë ditë pas zgjedhjeve”, ka thënë Cvetkovic, i cili thotë se ka kandiduar për kryetar të Gjilanit për t’i motivuar serbët që të dalin sa më shumë në zgjedhjet lokale të Kosovës.

“Qytetarët e Pasjanit janë të frikësuar nga akuzat për vjedhje të votave. Ata fillimisht kanë qenë nën presion nga Serbia dhe strukturat paralele, ndërkaq tash presioni po vjen edhe nga shqiptarët”, ka shtuar ai.

Sipas tij, ditën e zgjedhjeve, më 13 dhjetor, Haziri dhe Rexhepi, ose të tjerë nga LDK’ja, kanë dërguar njerëzit e tyre në Pasjan për t’i frikësuar qytetarët serbë. “Ata u kanë thënë kalimtarëve në fshat që të mos votojnë për PDK’në e z. Thaçi, sepse ata do t’ju vrasin, etj, përndryshe do të kishte edhe më shumë votues në Pasjan”, ka thënë Cvetkovic.

Ai ka porositur zyrtarët e lartë të LDK’së që të mos etiketojnë fshatarët e tij.

“Unë u bëj thirrje z. Fatmir Rexhepi dhe z. Haziri që të mos i quajnë pasjanasit hajna, sepse kjo nuk është rregull. Nëse kanë fakte, le t’i deklarojnë. Unë nuk kam asgjë kundër tyre, por ai që ka fituar duhet të jetë kryetar”.

Sipas Cvetkovicit, në kutinë e votimit në Pasjan ka vetëm fletëvotime të hedhura nga qytetarët e këtij fshati dhe kjo mund të vërtetohet. “Pohimet se ka pasur mbushje të kutive janë gënjeshtër e pastër. Populli i Pasjanit nuk ka vjedhur vota, por ka votuar për opsionin që ka menduar se është më i miri. Unë nuk mund të gënjej se ka pasur parregullsi dhe vjedhje. Kjo nuk vjen në shprehje”, thotë Cvetkovic.

Në Pasjan jetojnë mbi 3 mijë banorë. Rreth 1,500 qytetarë kanë pasur të drejtë vote, por vetëm 20 për qind e tyre kanë votuar. “Do të kishte dalje më të madhe nëse njerëzit e Fatmir Rexhepit të mos i kishin frikësuar njerëzit”, ka thënë Cvetkovic, duke shtuar në zgjedhjet e para pas pavarësisë është dashur të jepet shembulli i mirë për të tjerët se si mbahen zgjedhjet.

Rrëfim të ngjashëm ka edhe bashkëkombësi i tij nga fshati Shillovë, Milan Stojanovic, nga Iniciativa Qytetare për Gjilanin demokratik.

“Në Shillovë ka pasur zgjedhje qind për qind të pastra dhe qind për qind të rregullta.

Ata që kanë votuar, e kanë bërë këtë me vullnetin e tyre të lirë. Edhe raundin e parë, edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve. Nuk ka pasur asnjë vërejte të regjistruar”, ka thënë ai.

Edhe Stojanovic thotë se gjatë tërë procesit zgjedhor më 13 dhjetor në vendvotime kanë qenë të pranishëm vëzhguesit e PDK’së dhe LDK’së dhe e kanë nënshkruar procesverbalin.

“Politikanët rrejnë gjithçka, sipas interesit të tyre, kurse populli duron. Humbësi gjithmonë ankohet”, thotë Stojanovic.

Ndryshe, Dega e PDK’së në Gjilan ka publikuar të premten materiale të apelimit në Gjykatën Supreme lidhur me udhëzimin e KZAP’it për KQZ’në, që në komunën e Gjilanit të përsëritet balotazhi.

Dosja përmban pesë deklarata me shkrim të pesë kryesuesve të komisioneve të vendvotimeve, nga shtatë vendvotime të kontestuara nga KZAP’ja, që kundërshtojnë argumentet e KZAP-së për parregullsi në këto vendvotime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›