E Shtunë, 31 Tetor 2026

I mban pezull

Kryeministri Hashim Thaçi ka mbetur mes dy zjarresh. As nuk e lejon procedimin e pagave retroaktive të ministrave të tij deputetë, e as nuk e tërheq mbrapa vendimin e tij që bie në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Kreu i ekzekutivit nuk ka preferuar të premten pas mbledhjes së Qeverisë që të japë përgjigje konkrete rreth vendimit në fjalë.

“Unë kam deklaruar edhe më herët se çdo lëshim teknik që ka ndodhur, do të evitohet”, ka thënë ai.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, i cili para pak ditësh është bërë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, është rasti më i freskët që dëshmon se vendimi për pagat retroaktive është pezull.

Ai kur është dashur të pajiset me kartelën e deputetit dhe të deklarohet për pagën bazë dhe atë sekondare, nuk ka mundur të zgjedhë në Sekretariatin e Kuvendit, ngase i është thënë se vendimi i Qeverisë për këtë çështje ende nuk ka hyrë në fuqi. Zharku tha për Express se i dëshiron të dy pagat, siç i takojnë me ligj.

“Unë ende nuk kam mundur të bëj deklarimin se për cilën pagë, por besoj se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt për të gjithë në paketë. Unë dëshiroj t’i marr dy pagat. Ligji e lejon që të paguhemi, por kjo është edhe çështje morale. Kryesorja, shkelje ligjore nuk ka dhe kjo është krejt sipas vendimeve të Qeverisë”, tha ai.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, tha të premten për Express se i ka treguar zyrtarisht Qeverisë, gjegjësisht Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave se Kuvendi nuk ka mjete për t’i kompensuar pagat retroaktive të ministrave deputetë.

“Unë u kam treguar se nuk kemi mjete të planifikuara as për këtë vit që t’i paguajmë ministrat deputetë dhe nuk kemi marrë ende asnjë përgjigje për këtë”, tha Krasniqi.
Burime të Expressit brenda Kryeministrisë kanë thënë në kushte anonimiteti se vendimi për marrjen e pagave retroaktive do të zbatohet për shkak se ai ka bazë ligjore.

“Vendimi i vitit 2008 që e ka marrë Qeveria për moslejimin e marrjes së dy pagave nga ministrat deputetë, ka qenë i ngutshëm ngase legjislacioni në fuqi nuk ua ndalon ministrave deputetë që të marrin njërën pagë primare e tjetrën sekondare. Ai vendim ishte marrë me qëllim të mirë për të treguar se Qeveria dëshiron ta kursejë buxhetin, por rregullorja që është dashur ta pasojë atë vendim nuk është bërë dhe vendimi si i tillë ka qenë në kundërshtim me ligjet”.

I njëjti burim konfirmon se vendimi i ri i Kryeministrit për marrjen e pagave retroaktive do të ekzekutohet në ditët në vijim, pas qetësimit të gjendjes sociale në të cilën aktualisht ndodhet vendi.

“Vendimi do duhej të ekzekutohet deri tani, por grevat dhe protestat e punonjësve të sektorëve të ndryshëm e kanë shtyrë Kryeministrin që ta mbajë pezull ekzekutimin vendimit derisa të qetësohet pak gjendja”.

Ministrat deputetë do të vazhdojnë t’i kontrollojnë herë pas here kontot e tyre për të parë nëse u kanë mbërritur dhuratat për vitin e kaluar.

Kush përfiton?
Ministrat dhe zëvendësministrat që njëkohësisht janë edhe deputetë dhe sipas vendimit u takon të marrin nga rreth 15 mijë euro përnjëherë janë: Hashim Thaçi, Hajredin Kuçi, Ramë Manaj, Skënder Hyseni, Vlora Çitaku, Fehmi Mujota, Fatmir Limaj, Adem Grabovci, Arsim Bajrami, Enver Hoxhaj, Nekibe Kelmendi, Alush Gashi dhe Mahir Yagcilar.

Dorëheqje nga posti i deputetit

Përmes një letre, drejtuar Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, Kryeministri Hashim Thaçi ka bërë të njohur dorëheqjen e tij nga pozita e deputetit e legjislativit kosovar. Ai thotë se këtë veprim e ndërmerr duke pasur parasysh përkushtimin e tij ndaj Qeverisë dhe përmbushjes në mënyrë sa më efikase të detyrave si kryeministër.
“Duke u bazuar në nenin 70 paragrafin 3 (2) të Kushtetutës së Kosovës si dhe në pikën 5 të Rregullës nr. 14 të Rregullores së Punës së Kuvendit, ju paraqes dorëheqjen time nga pozita e deputetit. Këtë veprim e kam ndërmarrë duke pasur parasysh përkushtimin tim ndaj Qeverisë, si dhe të përmbushjes në mënyrë sa më efikase të të gjitha detyrave të mia si kryeministër”, thuhet në letrën e Thaçit.
Shefi i Qeverisë ka thënë se kjo do të ndihmojë edhe vetë Kuvendin në rritjen e efikasitetit në punë dhe krijimin e mundësisë për deputetë të rinj që do të jenë të përkushtuar vetëm në punët dhe detyrat që përkojnë me funksionin e deputetit.
Pas dorëheqjes së Thaçit nga posti i deputetit, në vend të tij, sipas votave të marra në zgjedhjet e vitit 2007, në Kuvend pritet të futet Abdyl Imeri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›